TIRANË - Cirku Kombëtar nuk do të cënohet në asnjë moment dhe për këtë keni garancinë time dhe të institucionit që unë drejtoj. Keshtu eshte shprehur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, lidhur me problematikën e mbylljes se cirkut, cka ka shqetesuar kohet e fundit punonjësit e institucionit të Cirkut Kombëtar, të cilët vetëm një ditë më parë kërkonin mbështetjen e ministres.
E pyetur nga gazetarët pas aktivitetit të dhurimit të 2280 fotografive nga "Foto Studio Kallfa" për Fototekën Kombëtare "Marubi" Shkodër, qe u zhvillua sot në ambjentet e Ministrisë së Kulturës, Kumbaroi theksoi se "Fjala ime është garanci për çadrën e cirkut, e cila nuk do të lëvizë pa u gjetur një tjetër godinë dhe së bashku me pronarin dhe bashkinë e Tiranës jemi në një proçes për të respektuar edhe të drejtat e pronarit, edhe anën procedoriale dhe njëkohësisht pa cënuar asnjë moment aktivitetin e Cirkut Kombëtar".
Cirku Kombëtar
"Cirku Kombëtar, vijoi Kumbaro, ka gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e ministrise së Kulturës, e cila ka kryer veprimet proçeduriale për kundërshtimin e veprimit të përmbarimit, pra është një dosje të cilën e kemi në proçes dhe paralelisht ne po ndjekim hapat në pikpamjet juridike dhe ato të përmirësimit të ambjenteve të cirkut, duke pergatitur edhe një projekt", u shpreh zyrtarisht ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila sqaroi edhe qëndrimin e saj lidhur me problematikën qe ka shqetësuar së fundmi punonjësit e institucionit të Cirkut Kombëtar në Tiranë, institucion ky në varësi të ministrisë së saj.
Vetëm nje ditë më parë, punonjësit e institucionit të Cirkut Kombëtar iu drejtuan publikisht ministres dhe i kërkuan asaj që të mos ta lejojë mbylljen e cirkut, duke qënë se kjo e fundit do të ndodhte nga zhvillimi i disa seancave gjyqësore nga pronari i cili ka blerë truallin dhe ka fituar të drejtën për të zhvendosur çadrën e cirkut të Tiranës.
Edhe zyra e përmbarimit pas njoftimit që i ka bërë institucionit në datën 12, pritej të ekzekutonte vendimin për çmontimin e cadrës, por drejtuesit e cirkut dhe sindikata e artistëve e kanë penguar përmbarimin, duke protestuar e kundërshtuar këtë vendim të cilin ata e kanë konsideruar të padrejtë./ATSH/