Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në një prononcim sot pë mediat nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit, tha se fotografitë e 40 martirëve, janë vendosur në bashkëpunim me Protokollin e Vatikanit.

Ministrja tha gjithashtu se punimet që po kryhen nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës në lidhje me vizitën e Papa Frençeskut në Sheshin "Nënë Tereza", në Tiranë do të përfundojnë  më parë se afati i përcaktuar,
Duke u ndalur te fotot e martirëve katolike, Kumbaro tha se "ky dekor në Bulevard vjen si një ide e kryeministrit Rama, që u miratua nga Komisioni për përgatitjet e vizitës së Papës në bashkëpunim me Protokollin e Vatikanit".

Por Ministrja deklaroi se "i kemi kërkuar Vatikanit që të shenjtërojë disa prej emrave të martirëve që kemi vendosur sot përgjatë Bulevardit. Vatikani i ka futur ata në proçesin e kanonizimit, për t'i kaluar më pas në lumturim, ashtu si Nënë Tereza".

Ministrja gjithashtu sqaroi se "në Bulevardin e dëshmorëve, kemi varuar sot portrete të disa dëshmorëve që janë martirë, priftërinjë të Kishës Katolike, dhe jo vetëm, por të gjithë kanë qënë dëshmorë që nuk ranë me armë në dorë, por ranë para armëve që iu drejtuan atyre kur iu kërkua të hiqej dorë nga liria e besimit". /ATSH/