Vizita synonte nxitjen dhe konsolidimin e marrdhënieve të bashkëpunimit në fushën e artit dhe të kulturës mes Shqipërisë dhe kësaj pjesë të rëndësishme të territorit të veriut të Italisë.
Torino është padyshim një prej kryeqendrave të artit dhe të kulturës italiane.
Qyteti numëron ndër të tjera mbi dyzetepesë muze, shumë prej të cilëve me famë botërore, Teatro Regio-n, tempullin e muzikës operistike italiane, Panairin Ndërkombëtar të Librit, ndër më të rëndësishmit në Evropë dhe shumë veprimtari e festivale të tjera të nivelit ndërkombëtar, në fushat e artit kontemporan, kinematografisë, muzikës, etj.
Vizita e znj. Kumbaro në Torino pasonte atë të Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Panairin Ndërkombëtar të Librit në muajin Maj të këtij viti.
Gjatë takimit me kryetarin Fassino, znj. Kumbaro shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për ti rritur dhe zgjeruar më tej marrdhëniet ekzistuese të bashkëpunimit me Torinon, të ndërtuara kryesisht gjatë periudhës kur kryeministri aktual i vendit tonë drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Fassino, i cili shoqërohej në takim edhe nga Asesori i Kulturës i Bashkisë së Torinos, Maurizio Braccialarghe. Fassino shprehu vlerësim për punën e qeverisë shqiptare dhe gatishmërinë e institucionit që ai drejton për të konkretizuar nismat dhe veprimtaritë e propozuara, me interes të madh të përbashkët.
"Për shumë vite me radhë mendohet se investimi në kulturë në momente të krizës ekonomike, nuk është zgjidhja e duhur.Unë besoj se investimi në kulturë është një levë strategjike e rëndësishme"- u shpreh në këtë takim, Fassino, i cili shtoi se "Marrëdhëniet mes Torinos dhe Shqipërisë, në këto vite kanë qenë të frytshme dhe konkrete, por ato do të forcohen kryesisht në fushën e kulturës, duke përfshirë në këtë aksion konkret të gjithë sistemin kulturor të Torinos, me realitetet muzeale, kulturore e turistike, siç është edhe Expo 2015 në planet e afërta.
Ministrja Kumbaro shprehu gatishmërinë e institucionit që ajo drejton për hapësirat e përbashkëta ku mundet të bashkëpunohet si arti kontemporan, muzika dhe trashëgimia kulturore.
Gjatë takimit u ra dakord për të nënshkruar një protokoll bashkëpunimi në muajt e ardhshëm në fushën e kulturës midis Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Torinos për krijimin e urave të përbashkëta kulturore në nivel institucional.
Ministrja Kumbaro zhvilloi gjithashtu edhe disa takime të tjera të rëndësishme me institucionet vendore, ndër të cilat ai me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Torinos, z. Alessandro Barberis dhe Presidentin e Fondacionit për Librin, Muzikën dhe Kulturën z. Rolando Picchioni.
Një vend të rëndësishëm në axhendën dy-ditore të ministres Kumbaro zuri edhe vizita në kompleksin muzeal të Venaria Reale-s, një prej atraksioneve kryesore turistike të mbarë rajonit, i vizituar çdo vit nga miliona vizitorë nga e gjithë bota.
Kumbaro, e shoqëruar gjatë vizitës nga drejtuesit e institucionit, u njoh nga afër me punën e laboratorëve të restaurimit të trashëgimisë kulturore, që konsiderohen ndër më të përparuarit në Itali dhe Evropë, si edhe me përvojën e shkëlqyer të rekuperimit të vlerave arkitektonike dhe kulturore, në funksion të turizmit dhe zhvillimit të qendrueshëm ekonomik dhe shoqëror të territorit.
Në takimin me z. Luigi Quaranta, President i Qendrës së Restaurimit në kompleksin muzeal Venaria Reale u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit mes kësaj qendre dhe Institutit të Monumenteve për organizimin e punëtorive të përbashkëta me specialistët e dy vendeve.
Ministra Kumbaro mori pjesë gjithashtu edhe në takimin "Tra il Mediterraneo e i Balcani" "Mes Mesdheut dhe Ballkanit", organizuar nga shoqata "Qendra e Kulturës Shqiptare", një mbrëmje kushtuar promovimit të Shqipërisë si destinacion turistik. Antropologu Francesco Vietti dhe gazetari Benko Gjata prezantuan gjatë takimit guidën e re turistike "Tirana & Albania", guida e parë e realizuar posaçërisht për italianët që duan të zbulojnë Shqipërinë./a.gegvataj/