Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi sot paradite stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Botërorit 2026, atë kundër Anglisë që luhet të diel në Tiranë duke nisur nga ora 18:00.
Stërvitja e sotme u nda në dy grupe, ku lojtarët që luajtën titullarë dje bënë ushtrime në palestër dhe rikuperim, ndërsa lojtarët e stolit dhe të aktivizuarit në pjesën e dytë realizuan një seancë të plotë me stafin teknik në stadiumin ku u luajt ndeshja e mbrëmshme.
Ndërkohë, pasditen e sotme Kombëtarja do të udhëtojë drej Tiranës, ku pritet të mbërrijë në Rinas gjatë mbrëmjes. Ditën e shtunë, ekipi do të zhvillojë stërvitjen zyrtare në “Air Albania”, në orën 18:00, ndërsa më herët, në orën 17:00, trajneri Sylvinho dhe një lojtar do të dalin para mediave në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Anglisë.
Të diel në Tiranë kalendari përplas Shqipërinë me Anglinë në orën 18:00. Me dy skuadrat që i kanë siguruar objektivat, kjo sfidë luksi më shumë i ngjan një miqësoreje për tifozët, por jo për futbollistët dhe stafet.
Shqipëria dhe Anglia janë përballur shtatë herë më parë. Në të gjitha rastet ka fituar Anglia, ndërsa ne i kemi shënuar 'Tre Luanëve' vetëm një herë, në humbjen 1-3 në 'Qemal Stafa' më 28 mars 2001, me gol nga Altin Rraklli. Ndërkohë që Anglia na ka shënuar 21 gola.
Anglia, në shtatë ndeshjet e kësaj fushate kualifikuese ka shtatë fitore. 'Tre Luanët' nuk kanë pësuar asnjë gol, duke shënuar 20-të. Misioni i Shqipërisë në "Air Albania" duket i vështirë.
Komente








