Kupa e Shqipërisë do zhvillojë këtë të mërkurë dy ndeshjet e kthimit për fazën gjysmëfinale, nga të cilat do dalin edhe dy skuadrat finaliste. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të ndryshojë oraret e ndeshjeve, teksa shkaku mendohet të jetë Champions League.
Nëse Egnatia - Vllaznia (1-1) ishte programuar për në 15:00, dueli në Rrogozhinë do marrë jetë në 14:00. Sfida tjetër mes Teutës dhe Tiranës (0-3) do luhet në 17:00 në "Niko Dovana" dhe jo në 18:00 siç ishte programuar më herët.
Me mbrëmjen e se mërkurës që rezervon duelin mes Milanit dhe Interit në Champions League, FSHF ka ndryshuar oraret e ndeshjeve edhe për të pasur sa më shumë tifozë në "Niko Dovana". Kujtojmë se finalja e Kupës së Shqipërisë zhvillohet në 1 qershor në "Air Albania".