Këtë të mërkurë në orën 19:00 në stadiumin 'Air Albania' do të zhvillohet finalja e Kupës së Shqipërisë mes Dinamos dhe Egnatias. 'Blutë' e Ilir Dajës janë mbajtësit në fuqi të trofeut, ndërsa djemtë e Nevil Dedes kërkojnë të 'marrin hak' pasi një vit më parë ishin humbës.

Kjo finale parashikohet plot rivalitet dhe emocione, ku dy skuadrat do të përballen për të dytin vit radhazi në aktin e fundit të këtij kompeticioni, pas një rruge të suksesshme drejt finales.

Statistikat flasin për rrogozhinasit

Ky do të jetë takimi i 34-t në histori mes këtyre dy ekipeve, teksa në 33 përballje të zhvilluara më parë, Egnatia ka regjistruar 16 fitore, ndërsa 10 sfida janë mbyllur në barazim dhe 7 janë fituar nga Dinamo.

Egnatia kryeson gjithashtu edhe për sa i përket golave të shënuar, me 39 gola kundrejt 24 të Dinamos.

Pas kësaj sfide, të dyja skuadrat do të fokusohen te përballjet vendimtare të “Final 4”, pasi janë pjesë edhe e garës për trofeun e Superligës.