Kupa, mësohen sot dy finalistët
Laçi bunker, Flamurtari shpreson

Kupa, mësohen sot dy finalistët<br />Laçi bunker, Flamurtari shpreson
Kupa e Shqipërisë do të mësojë sot dy finalistët për këtë edicion. Skënderbeu pret Laçin në Korçë me kurbinasit të avantazhuar disi nga fitorja 1-0 në Laç, ndërsa Kukësi pret Flamurtarin, ku vlonjatët duhet të bëjnë një mrekulli për të përmbysur humbjen e pastër 0-2 që pësuan në Vlorë.

Skënderbeu-Laçi
Edhe pse avantazhi i kurbinasve është minimal, ata duken të avantazhuar për faktin se Skënderbeu e ka përqëndruar më shumë vëmendjen tek kampionati se sa tek Kupa. Korçarët vijnë nga dy humbje resht në kampionat nga ajo me Kukësin, si dhe nga shokuesja në shtëpi me Tërbunin, çka ka bërë që diferenca me Partizanin e vendit të dytë të minimizohet në vetëm 2 pikë.

Duke pasur parasysh se të hënën që vjen Skënderbeu ka një ndeshje të fortë për kampionatin me Tiranën, në kryeqytet, pritet që kampionët në fuqi të lënë pushim disa prej titullarëve në ndeshejn e Kupës.

Pra ashtu si edhe në ndeshejn e parë në Laç edhe sot në Korçë, Skënderbeu do të luajë me disa lojtarë që kanë pak minuta në këmbët e tyre si titullarë. Nga ana tjetër Laçi, nën drejtimin e trajnerit të ri Ramazan Ndreu do të hedhë në fushë më të mirët, sepse për kurbinasit, Kupa është objektivi parësor i sezonit për të siguruar përmes saj pjesëmarrjen në Europa League.

Kukësi-Flamurtari
Kukësi pas fitores 2-0 në Vlorë është pranë kualifikimit për në finale. Në “Zeqir Ymeri” ekipi kuksian është një “kockë e vështirë” për këdo dhe aq më tepër për një Flamurtar me shumë luhatje si ai i sivjetmi. Gjithsesi edhe Kukësi ka problemet e veta.

Trajnerit Klodian Duro i duhet të bëjë pa disa lojtarë të rëndësishëm si Edon Hasani dhe Ylli Shameti të dëmtuar, ndërsa Gledi Mici është i skualifikuar duke humbur kështu përballjen me ish skuadrën e tij. Në dyshim për Kukësin janë ndërkohë dhe Mateus Lima e Koliçi me portierin që gjithsesi pritet t’ja dale. Nga ana tjetër trajneri i Flamurtarit, Zekeria Ramadani i ka të gjithë lojtarët në dispozicion.

Ekipi vlonjat vjen pas një fitore të rëndësishme në kampionat në fushën e vështirë të Laçit dhe kjo ka sjellë optimizëm në kampin kuqezi. Informacionet nga Vlora flasin për një kërkesë të drejtuesve të klubit nga ekipi për të bërë maksimumin për të arritur përmbysjen në Kukës në mënyrë që nga Kupa të shpëtohet ky sezon shkatërrues për ta.


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)