Kur pritej që 1 milionë Kuq e Zinj të deklaruar nga Kreshnik Spahiu të bllokonin bulevardin kryesor përpara Kryeministrisë, në fakt protestuesit ishin shumë herë të paktë në numër, ç'ka tregoi edhe fuqinë e kësaj partie.
Ndonëse që në krijimet e saj, u përfol si një parti që do të ecte në politikë duke marrë parasysh edhe përfshirjen e shumë figurave të njohura politike në vend, protesta e prillit si dhe ajo e djeshmja nuk treguan gjë tjetër veçse rudhjen e kuqezinjëve.
Largimi i disa prej drejtuesve të lartë të Aleancës Kuqezi dhe akuzat e tyre se AK po kthehet në parti pazar për Spahiun, duket se ka patur efektetet e saj edhe në elektorat.
“AK nuk funksiononte si parti dhe ne nuk mund të qëndronim në një batak. Kreu i AK e ktheu partinë në një pazar dhe futi në parti njerëz që shkuan atje për interesa të ngushta meskine. AK ka rënë në duar të pista.
Spahiu ka vepruar vetëm për interesa vetjake, s’ka vepruar për interesa kombëtare”, është shprehur Dashamir Uruçi, njëri nga sekretarët politikë të AK, tashmë i larguar.
Por edhe kandidimi i vetëm i AK përballë dy koalicioneve të mëdha si dhe përball partisë tjetër që kandidon e vetme, FRD, pritet si një rrezik dhe testim drejt dështimit për kreun e kësaj partie.
PROTESTA
Është hera e dytë që protestuesit kuq e zinj nuk përballen drejtëpërdrejtë me kreun e qeverisë, ku edhe në protestën e parë Berisha ishte në një aktivitet. Ndërkohë që i ashpër në qëndrimin e tij, Kryetari i AK-së Kreshnik Spahiu e konsideroi Kryeministrin "si të vdekur politikisht".
“Nga sot ai nuk është më shtetasi Berisha, por i ndjeri Berisha, pasi ia ka vdekur politikisht për të gjithë shqiptarët. Ne i kujtojmë se nga populli nuk shpëton dot, nga arresti dhe prangat ty nuk të shpeton dot askush”, tha Spahiu, që vari në kangjellat që rrethojnë godinën e Kryeministrisë edhe një jelek antiplumb.
Duke iu drejtuar të pranishmëve Kreu i AK-së tha “më lejoni që t’ja lë në zyrë dhe ti them se nga populli nuk shpëton dot. Nuk të shpëton as Edi Rama, askush tjetër”.
Kreu i Aleancës Kuq e Zi prezantoi në këtë protestë edhe sloganin e kësaj partie për zgjedhjet e 23 Qershorit që sipas tij do të jetë “Koha për pastrim”.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)