Me San Marinon nuk duhen vetëm 3 pikët si detyrim por edhe gola, pasi golavarazhi mund të rezultojë vendimtar në fund. Për këtë arsye Rolando Maran pritet të hedhë një formacion shumë sulmues në sfidën e cila nis sonte nga ora 20:45 në ‘Air Albania’.

Ndryshimet në formacionin e mundshëm, të publikuar nga mediat, janë duke filluar nga mbrojtja në kokë të sulmit. I konfirmuar edhe nga vetë trajneri portën do ta mbrojë Mario Dajsinani, ndërsa para tij do të rreshtoje një mbrojtje me 3, Gjimshiti, Kumbulla dhe Mitaj.

Në mesfushë pritet të kalojë Pilo në krahun e majtë, ndërsa Uzuni në të djathtin. Në qendër të mesfushës Ramadani dhe Asllani garantojnë organizim dhe forcë. Me tre sulmues pritet ta nisin sfidën kuqezinjtë, Muçi dhe Hoxha nga krahët ndërsa Manaj vijon te jetë pika e referimit.

Sulmuesi doli në konferencën për shtyp një ditë para sfidës, ku së bashku me Maran nënvizuan se kuqezinjtë duhet të kenë kujdes.

“Kur dëgjoj të thuhet ndeshje e lehtë më vijnë drithërimat sepse mund të ketë ndeshje më pak impenjative, por kurrë të lehta. E pamë këtë edhe në ndeshjen e parë me San Marinon kur ulëm ritmin”, tha Maran. 

“Me shumë gola të bëjmë, më shumë do të jemi të lumtur. Duhet të futemi në fushë fortë, të zhbllokojmë ndeshjen që nga fillimi. Mos të harrojmë ndeshjen kundër Andorrës. Edhe pse ata ishin rival më i dobët se ne, i bëmë gol vetëm në minutën e 80-të. Gjëja kryesore është të sulmojmë fort që në 20 minutat e para. Pastaj ishalla të shënojmë sa më shumë gola, në krahasim se sa kanë bërë ekipet e tjera karshi San Marinos", u shpreh Manaj. 

Aktualisht Shqipëria mban vendin e dytë në grupin e Ligës së Kombeve me 6 pikë, 1 më pak se Finlanda kryesuese dhe 2 më shumë se Bjellorusia e vendit të tretë. Për duelin kundër San Marinos UEFA ka caktuar arbitra turq, me kryesor Mehmet Turkmen.