Edhe pse në pamje të parë është e vështirë të gjesh ngjashmëri mes luftës në Ukrainë dhe asaj në Iran, fjalimi i Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë në ditën e gënjeshtrave i ka sjellë këto paralele më qartë në fokus.

Është e vërtetë që Ukraina mbetet një demokraci (sado e papërsosur), që synon integrimin europian dhe nuk përbën kërcënim për fqinjët e saj, ndërsa Irani drejtohet nga një regjim diktatorial që për dekada me radhë ka shtypur popullsinë e vet, ka nxitur terrorizmin dhe ka destabilizuar Lindjen e Mesme. Edhe në nivel global, Ukraina dhe Irani qëndrojnë gjithashtu në anë të kundërta. Qeveria iraniane ka furnizuar Rusinë me teknologji dronësh dhe merr në këmbim mbështetje nga shërbimet inteligjente ruse, si dhe përfiton financime duke shitur naftë të sanksionuar në Kinë. Ukraina, përkundrazi, merr mbështetje inteligjence nga SHBA, si dhe para dhe armë nga Europa dhe demokraci të tjera.

Por nëse i lëmë mënjanë këto dimensione morale dhe strategjike, mund të vërejmë disa ngjashmëri të habitshme. Më kryesorja lidhet me karakterin e liderëve që I nisën këto luftëra. Si Trump, ashtu edhe presidenti rus Vladimir Putin, gabuan në vlerësimin se si do të zhvillohej konflikti dhe tani secili po përpiqet të gjejë një rrugëdalje që të shpëtojnë reputacionin nga varri që i kanë hapur vetes. 

Prandaj, plani i fundit amerikan me 15 pika për “paqen” në Gjirin Persik i ngjan shumë planit rus me 28 pika për Ukrainën, të hartuar vitin e kaluar për diplomatët amatorë të Trump-it, Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Të dy dokumentet, ashtu si edhe fjalimi i çoroditur i Trump-it më 1 prill, duhen marrë seriozisht, por jo fjalë për fjalë. Ato sinjalizojnë një përpjekje për të gjetur një dalje dinjitoze nga lufta.

Natyrisht, secila ofertë u refuzua menjëherë nga pala tjetër. Irani nuk do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit dhe programet e tij të raketave balistike, dhe mbetet i vendosur t’i shkaktojë një goditje Trump-it duke kontrolluar kush mund të kalojë në Ngushticën e Hormuzit dhe me çfarë çmimi. Nga ana tjetër, Ukraina, për arsye të kuptueshme, nuk do t’i dorëzojë rajonin e Donbasit Putinit si shpërblim për agresionin territorial.

Ukrainasit mbeten të vendosur të qëndrojnë në pozicionet e tyre dhe të frenojnë Rusinë duke i shkaktuar një numër të jashtëzakonshëm humbjesh njerëzore ushtrisë së saj (tashmë të paktën katër herë më të larta se humbjet amerikane në Vietnam). As Ukraina dhe as Irani nuk kanë nxitim t’i japin armikut një rrugë të lehtë daljeje, pavarësisht bombardimeve të rënda nga ajri.

Edhe pse nuk ka barazi morale mes Ukrainës dhe Iranit, ekzistojnë ngjashmëri interesante në mekanikën e dy luftërave. Të dyja u nisën mbi baza supozimesh tepër optimiste. Putin priste të merrte Kievin brenda pak ditësh; ushtarëve rusë madje u ishte thënë të merrnin uniformat e paradës për festimin e fitores së afërt. Qeveria ukrainase do të zëvendësohej nga një kukull e Kremlinit.

Në mënyrë të ngjashme, Trump supozoi se operacioni “Epic Fury” do të çonte menjëherë në ndryshim regjimi në Iran. Ai mendoi se mund t’i trondiste dhe t’i nënshtrohte ajatollahët dhe Gardën Revolucionare iraniane thjesht duke eliminuar drejtuesit kryesorë. Ai mendoi gjithashtu se mund të vendoste një regjim kukull - si në Venezuelë - për të zbatuar dëshirat e Amerikës.

Nuk u desh shumë kohë për të kuptuar sa të pabaza ishin këto plane. Ukraina ishte e motivuar të mbetej e pavarur dhe shumë më e përgatitur dhe e armatosur sesa në vitin 2014, kur humbi Krimenë. Po ashtu, struktura komplekse, e kalitur në luftë dhe fanatike e pushtetit në Iran nuk kishte asnjë gjasë të sillhej si klani në pushtet në Venezuelë.

Pyetja thelbësore nuk është nëse këto plane mund t’i mbijetonin realitetit të fushëbetejës (natyrisht që jo), por pse të dy agresorët gabuan kaq rëndë. Pse Trump dhe Putin nuk kuptuan apo nuk mundën të parashikonin që ushtri shumë më të vogla do t’iu përgjigjeshin me një luftë asimetrike? Duhej të ishte e qartë se një shtet përballë një kërcënimi ekzistencial nuk do të kursente asnjë mjet.

Për më tepër, vendet e sulmuara e dinin çfarë të bënin. Për katër vite, Irani kishte furnizuar Rusinë me dronë dhe teknologji dronësh, duke vëzhguar njëkohësisht se si Ukraina përsoste përdorimin e dronëve ajrorë dhe detarë për të shkatërruar anijet ruse në Detin e Zi dhe për të goditur infrastrukturën e naftës dhe gazit. Garda Revolucionare Islamike thjesht aplikoi të njëjtat mësime në Hormuz dhe Gjirin Persik, duke e marrë peng ekonominë globale dhe duke rritur presionin ndaj SHBA-së.

Megjithatë, Trump duket se u kap në befasi. Ai injoroi kryetarin e Shtabit të Përbashkët dhe nuk bëri llogaritë siç duhet. Irani kishte ndoshta dhjetë herë më shumë dronë të lehtë të gjeneratës së re sesa SHBA kishte interceptorë të vjetër, ndërkohë që këta të fundit kushtonin dhjetë herë më shumë për njësi. Diçka e ngjashme ndodhi në vitin 2022: Putin dhe gjeneralët e tij nuk parashikuan që një kolonë e gjatë tankesh dhe mjetesh të blinduara në një rrugë të vetme drejt Kievit mund të bllokohej lehtësisht - dhe më pas të shkatërrohej - duke hedhur në erë një urë të vetme në veri të kryeqytetit.

Këto vendime katastrofike janë simptomë e një patologjie më të thellë. Një individ i vetëm nuk mund ta çojë një vend të tërë drejt shkatërrimit, përveçse nëse institucionet janë tashmë të dëmtuara. Si Trump, ashtu edhe Putin u mbështetën në një rreth të ngushtë njerëzish që vetëm u thoshin “po” dhe që nuk do t’i paralajmëronin kurrë për rreziqet reale të veprimeve të tyre.

Nuk është e vështirë të kuptohet se si një diktator i moshuar dhe i izoluar në Kremlin mund të humbasë lidhjen me realitetin. Por fakti që një president amerikan mund të shpërfillë këshillat e ekspertëve të ushtrisë së vet dhe të nisë një luftë të madhe pa konsultuar Kongresin apo popullin amerikan, e aq më pak aleatët e vjetër, tregon thellësinë e mosfunksionimit institucional në SHBA.

Putin dhe Trump janë të ndryshëm, sigurisht. Megjithatë, ata ndajnë disa tipare të përbashkëta - mungesë empatie, aftësi identike për të gënjyer, indiferencë ndaj së drejtës dhe së gabuarës, prirje hakmarrëse përballë të vërtetave të pakëndshme - dhe bënë të njëjtin lloj gabimi duke hyrë në luftë. Nëse lufta me Iranin çon në një recesion global, atëherë kriza e demokracisë amerikane do të jetë shkaku./ Project Syndicate