'Kur do flasim?!' Rama ftesë publike Bashës për zgjidhjen e krizës (VIDEO)

Nga Samiti i Diasporës, Kryeministri Edi Rama i ka bërë një ftesë publike liderit të opozitës Lulzim Basha për tu ulur në bisedime për të zgjidhur krizën politike, me opozitën që tashmë ka dalë jashtë Parlamentit duke djegur mandatet e deputetëve, e po ashtu ka nisur një valë protestash për rrëzimin e qeverisë. Edhe kryedemokrati Basha ishte i ftuar në këtë samit, por zgjodhi  të mos vinte. Rama ju drejtua vetëm me një pyetje: I them kur do flasim?!

"Për ata shqiptarë që ishin ftuar këtu, por nuk kanë ardhur sot këtu... kam vetëm një fjalë: I them kur do flasim? Unë nuk mund të bëj sikur nuk jam në Tiranë e këtu nuk ka ndodhur asgjë këto ditët e fundit."

Edi Rama

Dje, nga Tirana, delegacioni i Parlamentit Evropian rrëzoi kauzat dhe mjetet e opozitës, duke thënë se zgjedhjet e 2017-ës ishin korrekte, dhe se qeveria është legjitime. Megjithatë, pavarësisht "shuplakës" së fortë ndaj opozitës për protestat e dhunshme, qeverinë tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme që kërkon opozita, ndërkombëtarët nuk lanë pas edhe një thirrje për kryeministrin Edi Rama për të gjetur gjuhën e zgjidhjes së krizës aktuale. Ndërkombëtarët refuzuan të ishin negociatorë, pasi e quajtën problem të brendshëm të shqiptarëve, që duhet zgjidhur nga palët politike në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij në Samitin e Diasporës, kreu i qeverisë nuk la pa përmendur edhe opozitën shqiptare, si një faktor që për interesa partiake, dëmton imazhin e vendit tonë tek të huajt. Rama tha se Shqipërisë i vjen e keqja nga vetë shqiptarët, duke ju referuar lobimeve të opozitës në takimet me ndërkombëtare, që përhap për vendin një imazh të zi! Rama tha se sa herë e kanë bërë këtë, i ka mbulur me turp historia.

"Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë më të rrezikshme dhe asgjë më penguese për shqiptarët, sesa kur ju dalin përballë shqiptarët dhe kur për hesapet e vogla të katundit, apo për hesapet e vogla të klubit, apo për hesapet e vogla të mjedisit politik, e marrin flamurin dhe e kthejnë në një armë për të luftuar me njëri-tjetrin se kush është patrioti, kush është tradhtari, kush është i miri, kush është i keqi, kush është engjëlli, kush është djalli. Shqiptarët kundër shqiptarëve, këtu në Shqipëri kanë krijuar një ide, e kanë ushqyer me të gjitha mënyrat dhe e kanë shpërndarë edhe përtej kufijve, se kjo kohë e re e Shqipërisë është koha kur në Shqipëri paskan lindur kriminelët, qenkan rritur kriminelët e na paskan ardhur e na paskan pushtuar Parlamentin, kriminelët. Eshtë koha kur qeveria e Shqipërisë ka 50% gra. Kjo është koha kur në Parlamentin e Shqipërisë ka më shumë gra, sesa ka pasur kurrë ndonjëherë. Kjo është koha kur në Këshillat Bashkiake të Shqipërisë ka 50% gra dhe 50% burra. Pra, kjo është koha, kur varet se nga cili kënd vendos ta shohësh vendin tënd dhe varet sa e vret mendjen për vendin tënd, kur në gjuhë të huaj e kthen vendin tënd në mish për top për hesapet e tua. Sa herë shqiptarët kanë bërë këtë, ka humbur Shqipëria dhe nuk ka fituar askush dhe ata që e kanë bërë këtë, i ka mbuluar me turp historia, por kur të mbulon me turp historia, është shumë vonë.Ndërkohë që sot, ne nuk na duhet se ç’do bëjë historia" - u shpreh shefi i mazhorancës.

Rama theksoi edhe një herë se synimi i qeverisë është për të vazhduar punën para, për të ndërtuar një sistem drejtësie që lufton korrupsion dhe kthen besimin e qytetarëve.

"Sot, ne na duhet të vazhdojmë të ecim në rrugën që kemi nisur, sepse po flasim për shtetbërje dhe nuk po flasim për të ngrënë një darkë të gjithë sëbashku e për të pirë raki. Një darkë sëbashku e për të pirë raki është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë - e patjetër që falë ministrit të Diasporës do ta bëjmë, edhe pse ai i sheh të gjithë duke pirë raki dhe për vete pi ujë, - por ne po flasim për luftën më të madhe, luftën më të vërtetë, luftën më të vështirë që i është hapur ndonjëherë korrupsionit në Shqipëri.

Si luftohet korrupsioni, përveçse duke u përpjekur të ndërtojmë një sistem drejtësie që i bëhet korrupsionit armik i betuar dhe që e ndjek atë këmba këmbës? Kujt dhe kur i ka shkuar në mend se në Shqipëri, gjykatësit dhe prokurorët, ata që e kanë mbajtur drejtësinë si ta kishin pronë private dhe që i kanë bërë pronat e shqiptarëve, i kanë bërë të drejtat e shqiptarëve lesh e li, do të vinte dita që do të jepnin llogari?

Prokurorë dhe gjykatës në nivele më të larta, sot janë jashtë sistemit. Sigurisht, procesi nuk ka mbaruar, por, ama, hap pas hapi po ndërtohet sistemi i ri i drejtësisë, duke pastruar llumin nga pallati i drejtësisë. Po flasim për të bërë shtet, po flasim për të bërë administratë, nuk po flasim për të bërë sikur.

Sigurisht që asnjë shqiptar nuk do ketë paqe deri ditën që do të shohë politikanët, vendimmarrësit, ata që në gjithë këto vite kanë bërë të mira, por kanë bërë dhe të këqija, kanë bërë punë, por kanë bërë dhe zarare të mëdha, për ata, të cilët kanë sjellë haraçe për të paguar, që të paraqite para drejtësisë. Por kjo nuk është një histori, siç është të shkruash komente në Facebook dhe siç është të kërkosh drejtësinë, siç ndodhte dikur.

Lavdi Zotit për popullin shqiptar, koha kur drejtësinë e bënte partia apo qeveria dhe koha kur vendoste Kryeministri apo shumica se kush duhet të shkonte në burg ka vdekur në vitin 1990! Kjo është koha për të ndërtuar një sistem drejtësie, siç është në të gjitha vendet nga ju keni ardhur dhe ne këtë po bëjmë. Sot, Shqipëria është më e mirë, sesa ishte në samitin e parë. Sot, Shqipëria ka dyfishuar eksportet. Ju dëgjoni dhe ju rrokaniset koka sa herë hapni televizorin në shqip, “droga, droga, droga”. Ndërkohe që në këto dy vite, po ju njoftoj, jo sipas meje, jo sipas qeverisë shqiptare, por sipas agjencive të specializuara ndërkombëtare, ka ndodhur çrrënjosja e gjithë plantacioneve të kanabisit, që nuk erdhën me mua, por i gjeta aty ku ne filluam luftën, duke e vendosur problemin në rendin e ditës. Lazarati ka qenë aty edhe ju, edhe fëmijët tuaj mund të mos dinit se ku është Burreli, mund të mos e kishit dëgjuar kurrë emrin e Bulqizës apo Cërrikut, por dy emra i kanë dëgjuar gjithsesi, ose tre më saktë; Tiranën, Vlorën dhe Lazaratin.Lazarati ishte fusha e parë e betejës sonë", përfundoi kryeministri Edi Rama.

.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elton: 01/03/2019 18:03

    A e kuptoni o njerez ???!!! A e shikoni te adhuruarin tuaj cfare gjuhe cfare fjalori perdor ???!!! A e perceptoni sa mendojne per ne kete plehra, qe kane ne politike nga vitit 1990!! Ja pra kaq vone ju behet per varferine per gjendjen ekonomike te vendit te tyre, per njerzit punetore e te ndershem, per femijet studentet pensionistet. Kaq e kane me njeri tjetrin, ketej bejne sikur zihen e nga ana tjeter vjedhin e perdhunojne gjithca ju del para. Ke do takosh o i pafytyre shokun tend te ngushte, ku ja ke prekur interesat e hajduterise qe ben si i irrituar ai ??? Nuk dua te komentoj fare per keta horra politikane qe kemi ne shqiperine tone te mallkuar por dua qe te ndergjegjesohen njerezit cdo dite e me shume se per ke bejne tifozllek. Ja pra ku i keni tallin menderen sa mundin majtas e djathtas e ne fund populli ngel fukara i pa arsimuar e i pa perkrahur per asgje nga shteti i felliqur.

    Përgjigju
  • Pordhac: 01/03/2019 17:22

    Per ca do flasesh? Kur je i sigurt qe jane fajtor e hajdut qe i kap reforma, pse duhet te flasesh e te besh ujdira me ta. Po dhe ti kategoria e tyre je. Juve duheni hedhur ne kazan te gjithe. Kryeministri me pordhac qe ka pasur Shqiperia ndonjehere. Po ske k**e te vashdosh perpara hap krahun.

    Përgjigju
  • Konjak: 01/03/2019 16:59

    THon se njeriut i vjen e keqia nga vetvetia ,dhe kio eshte teresisht evertet .C'do njeri ka pak inteligjence , e tani edhe intelekyualitet ,dhe e lexon mir ,tjetrin se c'far thot ,si i thot e perse i thot .Kurdohere, qe cilido , trajton nje problem ne prezence te te tjereve ,pamvaresisht sesi i ka oganizuar mesazhet e c'far do te thot ,duhet te dije se shumica e njerezve ,e lexon shum mir te vertetene ,ndermjet rreshtave ,sado te nderlikuar ,ta ket ndertuar mesazhin .Te gjitha ngjariet e castit ,~te ketyre 30 vjeteve~menjeher i kalojne te shkuares ,dhe mbeten ne histori .DHe kete histori ,ne shqipetaret ,tani e ruajme si syt e ballit ,per te ditur ,se c'kemi bere e si i kemi bere,esi duhet ti bejme ,tani, e ne te arthmen .Vetem fatkeqesi ,na kane sjell , grindiet, merite, perbaltiet mashtrimet ,prapaskenat ,mos ti fryjme ziarrit te shkaterrimit,sepse ajo do sjell me vete, varferi, injorance ,barbarizma ,nga te cilat s'do ta ngrejme me koken kurr .GJithkush duhet te shkoje drejt te mires per te gjith .Prandaj ,zoterinj politikan !Mbase duhet te lishoni edhe dicka nga vet vetia ,ne interes te gjith shqiperise .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre