‘Kur Mehmet Shehu, me letrën time në dorë, u fut te zyra Enverit dhe i tha; shih, se ç’më shkruan e bija e Pandi Kristos ai i tërbuar…’/ Kujtimet e vajzës së ish-ministrit

‘Kur Mehmet Shehu, me letrën time në dorë, u fut te zyra Enverit dhe i tha; shih, se ç’më shkruan e bija e Pandi Kristos ai i tërbuar…’/ Kujtimet e vajzës së ish-ministrit

Pandi Kristo me familjen

Memorie.al / Në tre pjesët e para të kësaj interviste, të publikuar në numrat e kaluar, Asambleja, vajza e vetme e Pandi Kristos, tregoi për rininë e hershme të mbushur plot përbuzje e fyerje nga shokët e shoqet e saj dhe për neverinë e drejtuesve të Komitetit të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë të kryeqytetit. Takimet me babanë e saj në burg dhe për dëbimin e familjes së saj nga Tirana, për në Lushnjë. Jetën e zymtë të familjes së ish-mikut të ngushtë të Enver Hoxhës dhe punët e rënda që bënin gjatë internimit, në Fermën Bujqësore të Çermës. Sjelljet e përbindshme të të plotfuqishmit të Sigurimit të Shtetit dhe të tjerëve. Si i dërgoi letër Enver e Nexhmije Hoxhës, për të vazhduar studimet e larta dhe reagimet pas kësaj letre, që shtuan edhe më shumë fatkeqësitë e familjes. Kurse në pjesën e dytë të botuar në numrin e kaluar, znj. Asamble Kristo Vullkani, me intervistën e saj, na njohu me peripecitë e familjes, pas burgosjes së babait, Pandi Kristos dhe ndihmën e madhe që u dha xhaxhi i saj, (vëllai i Pandit), Koço Kristo, i cili si një prind i dytë u kujdes për familjen e vëllait dhe së bashku me ta, shkonin shpesh herë në burgun e Burrelit për të takuar Pandin, duke i dërguar edhe çantat me ushqime, që ai i mbante në kurriz, pasi asnjë makinë, s’pranonte t’i merrte ata, pasi e dinin se po shkonin tek burgu i Burrelit. Po kështu në pjesën e dytë të intervistës me znj. Asamble Kristo, ajo na njohu edhe për peripecitë e shumta të familjes së saj gjatë kohës kur ishin në internim më sektorin e Çermës, me Punëtorët Operativ të Sigurimit të Shtetit që ua nxinin jetën të internuarve, duke përdorur lloj lloj makinacionesh e intrigash, si dhe mjekët lushnjarë, që u treguan shumë humanë me nënën e saj, duke e kuruar vetë, apo duke e dërguar me autoambulancë për kurime në Tiranë, etj.

Zonja Asamble, diku, në një intervistë të mëparshme, historia e emrit tuaj është përmendur, por meqë ka qenë e treguar nga të tretë, mund edhe të ketë pasur gabime…! Si është e vërteta?

E kam lexuar atëherë kur është përmendur dhe, në fakt po, ka pasur disa pasaktësi. Thelbi është po ai, që emrin tim e ka vendosur Enver Hoxha, por, në rrethana ca më të ndryshme nga ato që janë shkruar. Siç më ka treguar babai, ditën e tretë të lindjes sime, kohë kur vihej edhe emri i fëmijës sipas disa zakoneve të vendit nga vinim, pat ardhur për të uruar në shtëpi Enver Hoxha me Koçi Xoxen. Me këtë rast, pra për vënien e emrit, ime gjyshe, kishte bërë edhe një ëmbëlsirë tipike, që bëjnë në Korçë, për të tilla gëzime.

Meqenëse Enveri e dinte, se për ç’rast përdorej ajo ëmbëlsirë, pyeti “si ia keni vënë emrin”? Babai, i pat thënë se, nuk e kishin gjetur ende. Ime më, pas lindjes sime, nuk ishte në kushte të mira shëndetësore dhe nuk kishin menduar asgjë. “Epo, meqë është kështu, emrin do t’ia vini Asamble” – tha Enveri. Kuvendi Popullor, vazhdonte të quhej Asamble atëherë. Asnjërit prej familjarëve, nuk u kishte pëlqyer, sidomos gjyshes, që ishte bërë pishman pse shërbeu atë ëmbëlsirë, por natyrisht, që nuk mund të kundërshtonte kush.

Në ç’vit keni lindur?

Në 1945-ën.

Mirë emrin që jua vunë, por të paktën të kishte zgjatur edhe ca vite koha e “artë” e babait. Në ’47-ën është arrestuar, apo jo?

Tri vite pas lindjes sime. Sinjalet mund të kenë qenë të dukshme ndoshta që në ’47-ën, por është burgosur në ’48-ën.

Pas prishjes së marrëdhënies me Jugosllavinë…?

Po, ky ishte edhe motivi që në fakt nuk besoj të vinte direkt prej Enver Hoxhës, por prej Rusisë. Por, duke qenë se ai ishte i frikësuar, se masat mund të merreshin edhe ndaj tij, i rregulloi punët, që t’u binte barra të tjerëve. Babai asokohe, ishte kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, pra nuk ishte i përfshirë politikisht, sa ç’mund të ishin anëtarë të tjerë të Byrosë Politike. As që e priste se mund të dënohej. Vjen e kërkon një ditë, Spiro Koleka, e i thotë të kërkon ambasadori rus në takim, për të sqaruar disa biseda që ke bërë me Koçi Xoxen. Ideja ishte që të dy këta, ishin spiunë të jugosllavit.

E vërteta është që Enveri, sulmoi pikërisht këta të parët, sepse donte të eliminonte si fillim Grupin e Komunistëve të Korçës, që të ngelej vetë. Siç në fakt bëri. Sotir Vullkani, një nga miqtë e babait, ai i cili i dha zanat dhe e përfshiu edhe në parti, nuk u dënua menjëherë, pas kësaj ngjarjeje. Pat takuar Enverin më vonë e i kishte thënë; Kristo dhe Xoxe, nuk bënin politikën e shtetit, nëse është për t’u ndërruar, le të ndërrohet e gjithë Byroja. Ai s’i pranoi këto fjalë dhe mori masa edhe ndaj tij, por më vonë. Më kujtohet që i thashë babait, kur doli nga burgu: “Pse nuk ikët, pse nuk u arratisët”?! “Po ta bënim, tha, konfirmonim atë, për të cilën na akuzuan, që ishim vërtet bashkëpunëtorë të jugosllavëve”.

Ju keni qenë shumë e vogël, por a kujtoni ndonjë gjë nga burgosja e babait? Ku e çuan?

Si fillim, e çuan te burgu i vjetër i Tiranës, ku është sot, te “Mine Peza”. Pas kësaj, e çuan në Burrel, e rikthyen sërish dhe e lanë për 7 vite në Tiranë, pastaj përsëri në Burrel. Pra, në kohën kur ka qenë këtu, unë kam qenë 3 deri në 10 vjeç. Kam kujtime po, sepse atëherë, lejohej që t’i çoheshin ushqime përditë. Kur vinte gjyshja nga Korça e gatuante, shkoja ia çoja unë. Për ta takuar, lejohej vetëm një herë në javë, por ushqim, mund të lije edhe përditë. Në vendin e takimeve, kishte dy hekura dhe një oficer që vëzhgonte. Në rast se qëllonte i mirë, më lejonte edhe ta përqafoja, por edhe këto, ishin momente frike për mua.

Pse? Si ju dukej?

Më dukej sikur po të rrija afër tij, po të më përqafonte e të më mbante aty, nuk do më lejonin më të kthehesha tek ime më. As mund ta parafytyroni këtë ndjesi në ambientet e burgut, isha fare e vogël.

Ju ndërkaq si jetonit? Ku?

Unë me mamanë, jetoja me xhaxhain dhe hallën, te shtëpia e tyre, diku në fund të “Rrugës së Kavajës”, që atë kohë konsiderohej fundi i qytetit.

Më pare, ku kishit jetuar?

Në një oborr me Enver Hoxhën. Madje, kam shkuar edhe e kam parë më vonë. Ishte ngjitur me vilën e tij dhe i binte të ishte mbrapa asaj të Hysni Kapos, por oborri ynë, me të tijin, ishte një.

Ç’ju ka treguar babai për kohët e burgut?

Ai nuk ishte njeri që fliste shumë, nuk para thoshte shumë gjëra. Tregonte episode të vogla, për shembull, kur i çuan me kamion nga Tirana në Burrel, ishte me Musine Kokalarin e me të tjerë.

Pse i bënin këto lëvizje, çfarë thoshte?

Në kohën e transferimit nga Tirana, ishte Konferenca e Tiranës, ku u ngrit Bedri Spahiu e kërkoi rehabilitim të figurës së Koçi Xoxes e Pandi Kristos. Pas tij u ngritën dhe zëra të tjerë, që binin mbi Enverin, e që normalisht u dënuan.

Megjithatë, babai juaj shpëtoi në njëfarë mënyre, ndryshe nga Xoxe…?

Më tregonte që, në kohët e para, 6 muaj, qëndruan në disa vila s’di se ku, në dhoma të veçuara u çohej madje edhe ushqimi nga Hotel Dajti, siç duket prisnin ende udhëzimet nga Moska, për të vepruar si vijoi. Por edhe më pas në qeli, pa u dhënë dënimi përfundimtar, roja që rrinte në qelinë e tij i pat thënë “hajt se ti shpëtove”, kishte dëgjuar si duket që do pushkatohej vetëm njëri.

Po me Xoxen, kishin pasur më mundësi komunikimi?

Përveçse përmes një vrime të murit të birucës, ku ai i kishte dërguar një letër të vogël, vetëm për t’i thënë që ishte ai ngjitur me të, jo. Në gjyqet që bëheshin, shiheshin në distancë, por babai, dinte që Koçi kishte përgatitur argumentet e tij mbrojtëse, ndaj akuzave që do t’i bëheshin, por që s’u lejua t’i thotë asnjëherë. As që i shkonte mendja, se do të mund të pushkatohej, por sapo e nuhati, pati prerë damarët. Pas tentativës së tij për vetëvrasje, u vunë dhe nga një oficer nëpër qeli, si dhe u hoqën çdo mjet të mundshëm që mund të ishte i rrezikshëm.

Po në Burrel keni shkuar ta takoni?

Kam shkuar, po. Shkoja me xhaxhanë, po edhe atëherë e vogël kam qenë. Më kujtohet që i çonim thasë me qymyr, patate apo qepë, sepse, duhet të gatuante. Janë disa skena qesharake tani, sepse xhaxhai, aq i lodhur sa ishte nga ngritja e thasëve në krah, më dukej sikur do t’i këputej koka dhe unë që nuk kisha hallin e tij, por vuaja me vete faktin, që s’do kisha me kë të kthehesha në Tiranë. Pritjet për ta takuar në Burrel, ishin të tmerrshme, duhet të rrinim me orë të tëra, në shi e në bore, për ta takuar. Aq sa më vonë, familjarët e të burgosurve, sajuan një kasolle që të paktën të mbroheshin nga shiu e nga të ftohtit. Atje, gjatë takimeve, të dënuarit ndaheshin në grupe, të dënuarit politikë veç, hajdutët veç. Këta të fundit, ishin më të privilegjuar se “armiqtë e popullit”.

Sa vite zgjati kjo situatë?

Deri sa e nxorën nga burgu, më ’63-in, kur na transferuan pastaj në Lushnjë, kohë kur unë sapo kisha mbaruar gjimnazin dhe nuk m’u dha e drejta e shkollës së lartë.

Me atë gjendje që ishte, s’besoj as që ta pretendonit…?!

Në fakt, e kisha një shpresë, sado që babai më thoshte të hiqja dorë. Por ’63-shi, nuk ka qenë kohë e ashpër lufte klasash. Për më tepër, që unë isha në dijeni se disa shokë të mitë, gjithashtu me familjarë të burgosur, kishin arritur ta fitonin. Madje, një vit përpara meje, e bija e Tuk Jakovës, që ishte pushkatuar, e kishte marrë të drejtën e studimit, sado që i shkoi edhe më keq më vonë. E penguan të merrte njeriun që donte dhe ajo pati rrjedhë edhe më të keqe jete, sepse, s’arriti dot ta pranojë asnjëherë këtë gjë. Gjithsesi… rasti i asaj, kishte qenë shpresë, sado që babai më tha: “Unë dola gjallë nga burgu, nuk ta japin të drejtën e studimit. Asaj ia dhanë, vetëm pse i vranë të atin”!

Meqë ju çuan në qytetin e Lushnjës e jo në zona të tjera të njohura për internime në këtë vend, ma do mendja që nuk ju kanë trajtuar keq…?!

Jo, dhe në fakt unë ia them gjithnjë këtë gjë kujtdo që takoj. Dëgjoj ankesa, me të drejtë, pa fund, por ne jo. Përveç banorëve të Lushnjës që kishin respekt e silleshin shumë mirë, edhe kur lindte nevoja për shërbime të tjera siç ishin ato spitalore, kishim gjithnjë gatishmërinë e mjekëve. Aq sa më bënte çudi kur më thoshte ndonjë doktor shko në shtëpi pa merak, po pati nëna ose babi komunikacione gjatë natës, vij edhe në shtëpi i shoh. Por edhe kjo nuk zgjati deri në fund.

Pse çfarë ndodhi tjetër?

Pas vdekjes së Mehmet Shehut na transferuan në Çermë, sepse menduan që deri në atë kohë na kishte përkrahur Mehmeti me Kadri Hazbiun për të pasur një farë jetese më të mirë nga të dëbuarit e tjerë. Në fakt, dëgjohej shpesh nga njerëz të ndryshëm: “Pse e mbani Pandin aty”?!

Ju ndërkaq, çfarë bënit? Apo si të gjithë punëtorët e Çermës…?

Aty përfundova, po sidomos pas betimit të Enver Hoxhës që kisha për të punuar gjithë jetën me kazmë.

Pse u betua? Ç’ndodhi?

Po unë me mendjen time, një nga herët kur shkova te halla në Tiranë, bëra një letër, të cilën ua dërgova të dyve, Mehmetit dhe Enverit. I shkruaja për historinë e familjes komuniste dhe sepse kishim përfunduar kështu. Në mos shkollë, të paktën të kisha mundësi të bëja një kurs, që të merresha me diçka ndryshe nga punëtorët e krahut.

A u konsultuat me babanë përpara se të nisnit letrën?

Jo, po ta bëja, nuk do të më kishte lejuar.

Prandaj pyeta… si reaguan pas letrës?

S’më erdhi asnjë përgjigje, por përsëri halla, e dha sinjalin të mos bëja zë. Ajo punonte në okulistikë, ku kishte shkuar për vizitë sekretarja e Enverit, Vangjeli Sotiradhi. Ajo e kishte ruajtur letrën time, për t’ia dhënë në një moment, kur ai ishte me humor të mirë. Po, pa mbërritur ky moment, kishte shkuar në zyrë Mehmet Shehu e, i kishte thënë “shih ç’letër më ka dërguar e bija e Pandi Kristos, shoku Enver”. Ai ishte nxehur, kishte marrë vesh që letra i kishte shkuar edhe atij e kishte thënë: “U bë ajo, të më tregojë mua, se çfarë duhet të bëj. Po të mos ishte vajzë, do kishte shkuar në burg”. Pas kësaj, më thirrën në komitet partie, e më komunikuan se; me urdhër të shokut Enver, do punoja vetëm punëtore kazme.

A ishte vdekja e Enverit, ndonjë rreze drite për ju? Si e komentoi babai?

Kujtoj që ma patën thënë si nën zë, përpara se të ndodhte. Si duket, sa ishte sëmurur. Ia thashë tim eti, por më tha që mund të ta kenë thënë për provokim, prandaj mos bëj zë, me askënd. Në fakt, s’kishte qenë ashtu, sepse pak kohë më pas, vdiq. Ditën e vdekjes, ne që ishim në grupin e të internuarve, ulnim kokën, për të fshehur gëzimin, në fakt, sepse për të qarë, nuk bëhej fjalë.

Pastaj gjërat u lehtësuan vetiu…?!

Ramizi i lehtësoi gjërat po, u duk një frymë ndryshimi që filloi të na jepte shpresë.

Në fakt erdhi koha, jo Ramizi, por sidoqoftë, juve ju kishte mbetur edhe pak kohë aty për të menduar kaq gjatë…?!

Sigurisht që e solli koha ndryshimin, ne vetëm sa ndoqëm të tjerët. E kam takuar Ramizin, vite më vonë e i jam prezantuar: Jam e bija e Pandi Kristos. Pa më thënë asnjë fjalë tjetër, menjëherë, reagoi i inatosur: “E mirë, ato ishin bindjet e mia atëherë”.

Ju e krijuat familjen tuaj vite më vonë… nga mbiemri që keni sot, duket që është familje po korçare, ajo që e bëri babanë pjesë të partisë…?

Po, u martova me të birin e Sotir Vullkanit, Robertin. Ishim njohur shumë vite përpara ’90-ës, për t’u ritakuar pas 26 vitesh, kur ai doli nga burgu. Edhe familja e tij, siç ju thashë, kishte pasur të njëjtin fat/ Memorie.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT