Mandati i ushtruesit të detyrës së Presidentit ka hapur interpretime të ndryshme mes juristëve në Kosovë, ndërsa vendi vijon të jetë pa një president të zgjedhur dhe Kuvendi ende nuk është konstituuar. Në qendër të debatit është nëse afati 6-mujor nis nga e para me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit apo përfundon më 5 tetor, gjashtë muaj pas mbarimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani.
Në njërën anë janë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, dhe ish-gjyqtari i kësaj gjykate, Kadri Kryeziu, të cilët argumentojnë se zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit sjell automatikisht edhe nisjen e një afati të ri gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së Presidentit. Në anën tjetër, hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, mbron qëndrimin se afati lidhet me vetë funksionin dhe jo me personin që e ushtron, ndaj sipas tij përfundon më 5 tetor.
Neni 90, paragrafi 3 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se "posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj", por interpretimi i kësaj dispozite është bërë objekt diskutimi në kushtet kur vendi ende nuk ka zgjedhur presidentin e ri.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit nënkupton edhe fillimin e një afati të ri gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së Presidentit.
“Edhe një të sqaroj se këtu i kam dëgjuar për fat të keq edhe të komunitetit juridik. Nëse zgjedhet kryetari i Kuvendit, nëse nuk është zonja Haxhiu, ai atë ditë e merr mandatin e ri gjashtë muaj. Nëse rikonfirmohet prapë zonja Haxhiu për kryetare të Kuvendit, mandati gjashtëmujor nis prej tash, jo prej kur e ka marrë. Nuk i përfundon mandati (në tetor), gabim e kanë. Kushdo qoftë që e thotë se po flasin hashamet dhe këto janë të qarta”, deklaroi Hasani nw njw intervistw pwr Kosovapress
Në të njëjtën linjë është edhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i cili thotë se në momentin që konstituohet Kuvendi dhe zgjidhet kryetari i ri, ai bëhet automatikisht ushtrues detyre i Presidentit dhe nis një mandat të ri gjashtëmujor.
“Nëse konstituohet parlamenti këto ditë dhe kryetari i ri merr detyrën dhe nuk ka president atëherë kryetari i ri fillon prej pikës zero. Pra ka gjashtë muaj ditë ka mandat të ushtruesit të detyrës...kryetari i ri i parlamentit nëse nuk ka president shteti bëhet në mënyrë automatike ushtrues detyre dhe ka mandatin gjashtë mujor”, u shpreh Kryeziu pwr Kosovapress
Një interpretim të kundërt jep hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala. Sipas tij, kufizimi kushtetues nuk lidhet me personin që ushtron detyrën, por me vetë postin e ushtruesit të detyrës së Presidentit.
“Afati gjashtëmujor ndërlidhet me pozitën dhe jo me personin. Për këtë arsye, afati gjashtëmujor ka filluar të rrjedh qysh prej ditës kur ish-presidentes i ka përfunduar mandati që është data 5 prill 2026. Në bazë të Kushtetutës, pozita e presidentes me ushtrues të detyrës mund të mbahet vetëm gjashtë muaj dhe ndryshimi i emrit nuk e zgjatë këtë mundësi. Për këtë arsye me datën 5 tetor nuk kemi më president dhe është një terren i ri i pashkelur që nuk e rregullon Kushtetuta e Kosovës dhe nuk ka një standard të Gjykatës Kushtetuese sesi duhet të veprohet në këto raste. Në një situatë të tillë do të na çonte në një pamundësi si në mungesë të një bartësi institucional siç është presidenti për të shpallur zgjedhjet dhe për të dhënë mandatarin për qeverinë e re. Për këtë arsye është e rëndësishme që zgjedhja e presidentit të bëhet para kësaj date”, deklaroi Shala.
Debati zhvillohet në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentativat e deritanishme nuk u arrit të zgjidhej kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të legjislaturës së re.










Komente
Komento