Në historinë politike dhe social-ekonomike të vendit, Vlora njihet si kryeqyteti jo vetëm i pavarësisë, por po aq edhe i destabilitetit apo kryengritjeve të dhunshme. Çdo elitë politike, qoftë mazhoranca aktuale dhe ajo e djeshmja sot në opozitë, me Vlorën kanë një raport të veçantë, shpesh dashuri dhe urrejtje, por në distancë. Çdokush dëgjon me interes çdo kritikë apo vlerësim që vjen nga atje.

Me të drejtë, kush e njeh dhe ndjek politikën, shqetësimin më të madh në 23 ditë protestë mazhoranca aktuale e pati mesditën dhe pasditen e një tubimi në Vlorë, por aty Vlora, sot e drejtuar nga socialistja Bruna Mersini, reagoi.

Të nesërmen e asaj proteste në Vlorë u paraqit vetë Kryeministri Edi Rama, i cili është bërë edhe kryefokusi i protestuesve me sloganin: “RAMA JEPE DORËHEQJEN”.

Po kush Vlorë po e lë në baltë Edi Ramën?

Ta kishte lënë Vlora e Flamurit, sot z. Rama jo vetëm do kishte dhënë dorëheqjen, por zor se do të arrinte edhe të konkurronte për të vijuar të ishte në politikën aktive apo deri tek stacioni që ai shpreson sërish se do të arrijë “Shqipëria në BE dhe ai jashtë Politikës aktive”

Faktet sot tregojnë se z. Rama në baltë po e lë Shërbimi Informativ Shtetëror. Po, po, SHISH-i i drejtuar nga Vlora, por jo kryeqyteti i pavarësisë, por Vlora Hyseni, zonja e cila drejton institucionin që ka, për ironi të fatit, këtë postulat:

“Ne jemi aty ku të tjerët nuk janë, sigurojmë informacione që të tjerët nuk i kanë dhe bëjmë më të mirën për sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.”

Pra, SHISH thotë se janë aty ku të tjerët nuk janë.

Pyetjet që lindin janë:

A ka qenë SHISH-i i znj. Hyseni aty ku ju dhe përkrahësit tuaj flasin për rryma të huaja në ndikimin apo drejtimin e protestës ende pa kokë?

Po, referuar postulatit të SHISH-it, thuhet se sigurojnë informacione që të tjerët nuk i kanë. Z. Rama, po shkohet në të 24-25 ditë të protestës dhe ende zyrtarisht ky shërbim, përtej çdo sekreti, s’ka folur as me emër e mbiemër.

A ka vërtet financues të huaj?

A ka vërtet ndikim iranian, grek, apo nga ata armiqtë e padukshëm që hiqen miq dhe prapa kurrizit të bëjnë gjëmën?

Ja dhe s’u thonkan publikisht, po juve a ju kanë vënë mbi tryezë një përmbledhje? E nëse jua kanë vënë, pse qenka utopi t’u thuash shqiptarëve dhe publikut se çfarë informacionesh të ka sjellë SHISH-i që të tjerët, përfshi publikun, median apo qytetarët, nuk i kanë?

SHISH thotë se bën më të mirën për sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Të mos kishte qenë ndërhyrja vendimtare e Policisë së Shtetit dhe reagimi i drejtuesve të rinj në më pak se 20 minuta, sot realiteti i vendit, e jo vetëm, do të ishte ndryshe me Aeroprtin e marrë PENG!

Po SHISH-i ku ishte?

Ah, dhe diçka. Ju e dini më mirë se sa unë. Një qeveri me një ministër të Brendshëm, të Financave, të Infrastrukturës dhe me shërbime inteligjente pa eksperiencë, pa reputacion dhe pa lidhje me vendin, e aq më tepër thinja eksperience: rrëzohet jo vetëm një kryeministër nga pushteti, por edhe një monark.

Ndaj, jo vetëm për pushtetin tuaj dhe të mazhorancës që ju drejtoni, pasi ndoshta sot apo nesër mund të largoheni edhe nën ndikimin e kësaj proteste, por më së shumti për integritetin e vendit dhe të institucioneve, mos vallë ju la në baltë SHISH-i?/ Weblajm