KURBIN- Në mes të pyllit në fshatin Gallatë të Kurbinit janë zbuluar 3 parcela ne kanabis. Policia sjell pamjet me dron, ku mes tyre shihen edhe disa persona që po e ujisin.
Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia e Kurbinit që është kultivuesi i drogës. Lënda narkotike është asgjësuar me anë të djegies ndërkohë që në pranga është vënë i riu Arnold Bibaj, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë Gjon Bibaj, kryetari i fshatit.
“Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore, me qëllim parandalimim dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi 2”, kanë goditur një rast tjetër të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë këtij operacioni, përmes përdorimit të dronit, në një zonë pyjore të fshatit Gallatë, njësia administrative Milot, u konstatuan të kultivuara 285 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat pas veprimeve procedurale dhe hetimore, u asgjësuan me anë të djegies. Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 28 vjeç, i dyshuar si kultivuesi i bimëve narkotike. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, për shtetasin Gj. B., 51 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Gallatë”, njofton policia.