Kurimi i Hanës, Ministria
e Shëndetësisë: Bëmë maksimumin

Kurimi i Hanës, Ministria<br />e Shëndetësisë: Bëmë maksimumin
TIRANE- Ministria e Shëndetësisë mohoi akuzat e bëra një ditë më parë nga Rezart Hana, djali i prokurorit të ndjerë Xhevat Hana, se nuk e ka ndihmuar të ndjerin për t'u mjekuar jashtë. Burime zyrtare pranë kësaj ministrie na shpjegojnë se vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili u angazhua personalisht, madje duke shfrytëzuar njohjet e tij private, pasi nuk kishte kohë për procedura, për ta dërguar sa më shpejt në spitalet më të mira.

"Vetë ministri Vasili u angazhua personalisht për ta dërguar prokurorin Hana jashtë për kurim. Madje edhe dërgimi i tij në spitalin "Gemelli", i cili trajton vetëm raste të rënda të fëmijëve, është bërë vetëm falë ndërhyrjes personale pranë Vatikanit të ministrit të Shëndetësisë Vasili, në të kundërt ai nuk do të kishte mundur të shkonte pranë këtij spitali",-thonë burime zyrtare pranë ministrisë.

Sipas Ministrisë gjatë ditëve të fundit të vitit 2011, kur edhe sëmundja e ish-prokurorit të krimeve të rënda, mori përmasa alarmante, ministri i Shëndëtësisë komunikoi disa herë me prokuroren e krimeve të rënda, Ina Rama dhe me familjarët e Hanës, për të gjetur një mënyrë sa më efikase dhe sa më të shpejtë për ta dërguar për kurim jashtë. "Vetë ministri i Shëndetësisë, ka komunikuar disa herë me familjarët dhe kryeprokuroren Ina Rama, për t'i ofruar sa më shpejt ndihmën e duhur prokurorit Xhevat Hana. Por gjendja e tij ka qenë shumë e rënduar. Ai vuante nga një lloj tumori gjaku dhe kishte metastaza në të gjithë trupin, në kocka, në organe jetike, kudo. Pavarësisht kësaj gjendjeje të rëndë, janë bërë përpjekjet maksimale për ta dërguar jashtë, megjithëse pranë ministrisë së Shëndetësisë nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare për ta dërguar këtë person jashtë Shqipërisë për mjekim", - sqaroi dikasteri.

 Përpjektjet për t'i dhënë asistencën e duhur mjekësore prokurorit Hana vijuan edhe në ditët e para të vitit 2012. "Megjithëse ishin ditë festash, me datë 2 janar, ministri i Shëndetësisë arriti që të sigurojë një marrëveshje edhe me një spital në Turqi, me të cilin ne kemi marrëveshje bashkëpunimi, për të asistuar situatën shëndetësore të Xhevat Hanës, por ishte e pamundur që ai të lëvizej nga "Gemelli" ku edhe ndërroi jetë", - thanë burime zyrtare pranë ministrisë së Shëndetësisë, që hedhin poshtë akuzat e bërë një ditë më parë nga Rezart Hana, se ministria pengoi dërgimin e të atit jashtë për mjekim. Ish-prokurori i krimeve të Rënda, ndërroi jetë dy ditë më parë, në Itali ku edhe po kurohej për sëmundjen e rëndë që i ishte përhapur në të gjithë trupin.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit 

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit