Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një takim me pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen (KLSM), programi më i lartë i arsimit ushtarak në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Gjatë bashkëbisedimit u diskutua mbi sfidat aktuale të sigurisë, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse përmes edukimit strategjik.

Ministri Nufi theksoi se përtej aspektit akademik, kursi ka një rol të rëndësishëm edhe në krijimin e marrëdhënieve të besimit mes pjesëmarrësve, duke e konsideruar këtë një element kyç për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen zhvillohet në gjuhën angleze dhe përfshin pjesëmarrës ushtarakë dhe civilë nga Shqipëria, vendet e rajonit, NATO dhe shtete partnere. Programi është ndërtuar sipas standardeve të NATO-s me mbështetjen e “George C. Marshall European Center for Security Studies” dhe prej vitit 2012 mban statusin “NATO Listed Course”.

KLSM konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme për formimin e drejtuesve strategjikë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Programi 12-javor përfshin tema mbi mjedisin global të sigurisë, NATO-n, organizatat ndërkombëtare, lidershipin dhe komunikimin strategjik, ndërsa leksionet zhvillohen nga ekspertë vendas dhe të huaj, diplomatë dhe drejtues institucionesh të sigurisë.