Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e dy komedianëve rusë të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.
Siç dëgjohet duke folur në videon e publikuar nga komedianët rusë, Kurti flet për mediat e opozitën, duke pretenduar se ka pasur luftë hibride ndaj qeverisë së tij.
“Ka pasur luftë hibride kundër qeverisë tonë që herët...kryesisht vjen nga Serbia dhe Rusia, por edhe nga disa elementë të tyre brenda Kosove. Prandaj lufta hibride dhe dezinformtat, e dyta ishte premtimet irracionale të opozitës të cilët flirtonin me luftën hibride. Dhe e treta disa oligarkë në vend, në veçanti njëri, që ka një TV stacion”, dëgjohet të thotë Kurti.
![]()
Ai flet edhe për emisarin Richard Grenell, për të cilin në fund dëgjohet duke thënë se “ai është homoseksual”.
“Tërë këto katër vite kundër meje. Ai ishte instrumental në rrëzimin e qeverisë time të parë, në 2020, e vetmja qeveri e ime u rrëzua gjatë pandemisë. Dhe tash në masë të madhe është rreshtuar me opozitën. Ai ka marrë një çmim të lartë në Beograd, të klasit të parë, nuk është në rregull të marrës çmim të atij soji në një vend autoritar dhe të pretendosh të jesh neutral. Tash ka një punë të re, Instituti Kenedi, ku ka të bëjë me vlerat e ShBA-së… Ai është homoseksual vetë”, thotë Kurti.
Këtu, komedianët i thonë: “A e di që edhe unë jam homoseksual?”. “Jo se di”, përgjigjet Kurti.
Ndërkohë, lidhur me këtë ka ardhur edhe një reagim nga qeveria e Kosovës, e cila e cilëson si një incident fatkeq.
“Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private.
Deklaratë e Zyrës së Kryeministrit në lidhje me incidentin me telefonatën – prank call Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate. Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë', thuhet në reagim.
Komente

