Kosova po hyn në një tjetër garë të jashtëzakonshme zgjedhore. Sonte në mesnatë përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, ndërsa partitë politike kanë kaluar ditët e para të javës duke bërë afrime, rikthime dhe lëvizje të forta politike.
Këto zgjedhje vijnë pasi vendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri edhe pas afatit shtesë të dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Ato janë të tretat që Kosova ka mbajtur brenda rreth një viti e gjysmë.
Ngjarja që tronditi më shumë skenën politike është ndarja përfundimtare mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Dyshja që fitoi bindshëm zgjedhjet e vitit 2021 tashmë janë kundër njëri tjetrit. Kurti mbeti kryeministër në detyrë, ndërsa Osmani u rikthye në LDK me synimin për ta rrëzuar nga pushteti ish-aleatin e saj.
LVV-ja ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, ndërsa Kurti ka rritur pritshmëritë duke deklaruar se synimi i ri është “60 për qind”.
Afrimi më i rëndësishëm i prezantuar nga Kurti është Krenare Çerkini, të cilën ai e përshkroi si profil akademik me përvojë ndërkombëtare në arsim dhe rini. Përtej saj, LVV nuk pati lëvizje të tjera publike.
Krejt ndryshe është treguar Vjosa Osmani duke qenë shumë më aktive. Pasi u rikthye në LDK, ajo mori me vete disa emra të njohur që deri dje ishin pjesë e kampit të Vetëvendosjes dhe partisë Guxo. Mes tyre janë Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe Albena Reshitaj, të cilët u rreshtuan krah saj pas përplasjes me Kurtin.
Osmani ka prezantuar gjithashtu emra të rinj si Fahrije Hoti nga Krusha, aktivistja Arjeta Musliu, juristi Bardhyl Hasanpapaj, analisti Visar Xani, eksperti i shëndetësisë Besim Kodra, avokatja shqiptaro-britanike Brikena Muharremi, ish-deputeti i PD-së në Shqipëri Kreshnik Çollaku dhe ish-nënshkruesi i Pavarësisë, Lulzim Zeneli.
LDK-ja ka zgjeruar bashkëpunimin edhe me Partinë e Drejtësisë dhe Ballin Kombëtar, ndërsa Ferid Agani dhe Alban Hoti do të jenë pjesë e listës zgjedhore. Në të njëjtën kohë, Agim Veliu refuzoi kandidimin dhe akuzoi lidershipin e partisë për përdorim politik të emrit të tij.
PDK-ja ndërkohë ka refuzuar rikthimin e Fatmir Limajt në listën zgjedhore. Bedri Hamza deklaroi se e mirëpret mbështetjen e Nismës, por jo përfshirjen direkte të Limajt.
Megjithatë, PDK ka bërë disa afrime të rëndësishme. Partisë iu bashkua Aida Dërguti, ish-deputete e LVV-së dhe analiste politike. Po ashtu, në listë do të jenë profesori Naim Telaku, aktivisti Shemsi Jashari dhe studiuesi Miftar Kurti.
Në AAK, zhvillimi kryesor është kandidimi i Ardian Gjinit për kryeministër dhe bartës liste. Ramush Haradinaj ka afruar pranë vetes veteranin Agron Kajtazi, Bajram Mulajn dhe ish-ambasadorin Avni Arifi.
Edhe PSD-ja e Dardan Molliqajt ka vendosur të futet në garë. Molliqaj tha se partia po hyn në zgjedhje për t’i siguruar vendit opozitë. Lëvizja më e rëndësishme për PSD-në është afrimi i Florin Krasniqit, një prej figurave historike të Vetëvendosjes
Pak orë para skadimit të afatit në KQZ, partitë po mbyllin negociatat e fundit dhe po finalizojnë listat që do të përballen në zgjedhjet e 7 qershorit.
Komente










