Kurti optimist për organizimin e zgjedhjeve në veri edhe pas tërheqjes së Listës Serbe

Kurti optimist për organizimin e zgjedhjeve në veri edhe pas tërheqjes së Listës Serbe

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet janë duke bërë të gjitha përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, më 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

I pyetur nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti, tha se janë ndarë mjetet e nevojshme për këtë proces dhe se askush nuk duhet dhe nuk mund të cenojë të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar një proces të rregullt zgjedhor.

“Pluralizmi politik dhe mbi të gjitha e drejta e votimit lirshëm e papengesa të komunitetit serb janë të domosdoshme. Kushdo që vijon ta cenojë këtë të drejtë themelore nuk ka çfarë të pres tjetër përveçse përgjigjen e institucioneve tona me forcën e ligjit”, tha Kurti.

Ai tha se për organizimin e zgjedhjeve është ndarë buxheti i nevojshëm dhe se institucionet e tjera të përfshira në këtë proces janë duke bërë përgatitjet e nevojshme. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, tha se Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës është duke u përballur me probleme të shumta në procesin e organizmit të zgjedhjeve.

Ajo përmendi bartjen e materialeve zgjedhore, pamundësinë e shfrytëzimit të qendrave të votimit si dhe mungesën e sigurisë si sfidat kryesore me të cilat siç tha ajo, janë duke u përballur stafi i KQZ-së.

Kurti pranoi se situata e sigurisë në veri është problematike porse theksoi se institucionet do ta kryejnë punën e tyre.

Dje, organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), tha se rrethanat aktuale, “nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës”, në përputhje me standardet për zgjedhje të lira. Ata thanë se situata në këto komuna është e brishtë.

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës si dhe anëtarët e Kuvendeve komunale atje dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre vitin e kaluar si kundërshtim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për largimin e targave ilegale dhe zëvendësimin e tyre me targa legale ‘RKS’.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna ishte paraparë të mbaheshin me 18 dhjetor të vitit të kaluar por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

Grupe të maskuara dëmtuan zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore në Veri.

Kundër organizimit të këtyre zgjedhjeve aktualisht është subjekti më i madh politik, Lista Serbe, parti kjo që nuk ka aplikuar në KQZ për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli