Kurti: Qeveria e Kosovës e përkushtuar për shtensionimin e situatës në veri

Kurti: Qeveria e Kosovës e përkushtuar për shtensionimin e situatës në veri

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi letrën që dhjetëra ligjvënës euro-perëndimorë u dërguan zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti nënvizoi faktin se në letër kërkohet një qasje më e rreptë ndaj Serbisë.

“Ky lloj i mbështetjes na e forcon përkushtimin tonë për de-eskalim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci, dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri”, tha kryeministri Kurti.

Letra e nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë kërkon diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës, ndërsa thekson mungesën e trysnisë ndaj Serbisë pas tensioneve në veri të Kosovës.

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.

Diplomacia perëndimore që atë kohë është vënë në përpjekje për uljen e tensioneve ndërsa ka ndëshkuar Kosovën për mungesë bashkërendimi.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se mungesa e bashkërendimit me aleatët perëndimorë ka bërë që Kosova të identifikohet si palë destruktive.

“Ne mund të mos e kishim pasur fare një situatë të tillë sikur kryeministri i Kosovës të ishte bashkërenduar me aleatët ndërkombëtarë ashtu që kryetarët të mos dërgoheshin fare në ndërtesa nga të cilat tash duhet të largohen, që njësitë e posaçme të policisë të mos kishte nevojë të dërgohej fare, dhe tash në vend të asaj ne duhet ta kthejmë situatën në pikën zero, në pikën nga e cila kemi mundur të mos lëvizim fare pa i dëmtuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe nëpërmjet bashkërendimit të gjendeshin zgjidhje të tjera të cilat tash ne po i kërkojmë dëshpërueshëm”, tha ai.

Paçarizi tha se Kosova tash ka nisur një lloj bashkërendimi me bashkësinë ndërkombëtare por duhet ta thellojë atë edhe më shumë.

“Sepse çështja është tash kështu, ne po i gëzohemi letrës së disa euro deputetëve, ndërkohë që qeveria e Kosovës do të duhej të kishte vendosur kontakte tashmë me të gjitha qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, me qeverinë amerikane dhe bashkë me ta t’i bashkërendojë të gjithë hapat. Pra ne kemi ardhur në situatën ku duhet t’u gëzohemi letrave apo nismave të pjesshme të Parlamentit Evropian, të senatit amerikan apo kongresit, do të thotë jemi kthyer diku në vitet ‘90”, tha ai.

Sipas pajtimit që u arrit me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, policia e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e saj në dhe rreth ndërtesave të komunave në veri.

Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të martën në mbrëmje në një intervistë në Beograd se letra e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë nuk është e drejtuar kundër tij por kundër Serbisë./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen