Ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e ka komentuar praninë e sotme të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje në mjediset universitare të Fakultetit të Shkencave, si një veprim larg vullnetit real për të përmirësuar situatën aktuale arsimore në vend. Kumbaro ka shprehur përmes një postimi zhgënjimin e saj, duke e cilësuar Albin Kurtin si një njeri tashmë të tjetërsuar. 

S’i besova syve kur pashë Albin Kurtin sot brenda pengmarrjes së mjediseve universitare, pa ia dëgjuar ndonjëherë mendjen për ligjin e AL në Shqipëri! Pa lidhje me vullnetet reale për tē përmiresuar pasojat e gjëmave që ka njohur bota universitare në 25 vite të shkuar e që nisëm t’i pastrojmë në 2015, së pari duke çrrënjosur qelqet e gjembat e Vitrinave, bashkë me part-time-et që mbytën të papunët me diploma që s’i duhen kujt! Po fare pa lidhje! Çfarë zhgënjimi i madh ta shohësh aq të tjetërsuar njeriun që ke vlerësuar.

Mirela Kumbaro, Ish-ministre e Kulturës

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, teksa zhvilloi këtë të hënë një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave, u ka dhënë të drejtë studentëve në Shqipëri për protestën, ndërsa shtoi se kauza e tyre është akoma më e drejtë kur mbështetet nga pedagogët. (Lexo këtu)