Gjatë vizitës së tij zyrtare në Bruksel Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Kurti gjatë takimet theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta bënte rajonit e Ballkanit edhe më të sigurte.
“NATO është aleanca më e mirë e sigurisë që bota ka parë. Në takim me sekretarin Stoltenberg theksova se prezenca e saj në Kosovë është e domosdoshme për të mbajtur paqen dhe për të ofruar siguri, dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta bënte rajonin dhe Evropën më të sigurt”, tha Kurti përmes një postimi në Twitter.
Gjatë ditës së sotme Kurti do të takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi si dhe me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Kurti në vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se është zgjedhur kryeministër i Kosovës, po ashtu do të marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe siç njoftoi Qeveria e Kosovës, në këtë takim, Kurti ka thënë se dialogu do të jetë parimor dhe i përgatitur mirë.
“Bisedime konstruktive me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. E kam ripohuar se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin e të vërtetën, të jetë i barabartë dhe t’u adresohet çështjeve të pazgjidhura, e jo të krijojë çështje të reja”, ka shkruar Kurti në Twitter pas atij takimi.
Kurti po ashtu tha se nuk do të marrë pjesë në takimin e 11 majit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç datë kjo e cila është përmendur nga përfaqësuesi i lartë, Borrell.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka nisur më 2011. Ky proces, sipas Brukselit zyrtar, ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.