ELBASAN - Për të dytën herë radhazi kompania turke KURUM shpërfil sërish urdhrin e Ministrisë së Mjedisit, duke rinisur me moskokëçarje punën pranë zonës së ish-Metalurgjikut në Elbasan.
A1 Report, ndër të paktët televizione që ka denoncuar prej muajsh katastrofën mjedisore që KURUM i shkakton qytetit, ishte edhe këtë të enjte pranë kompanisë turke të përpunimit të hekurit dhe çelikut ku dallohet fare qartë se puna vijon me të njëjtat ritme në impiantin e përpunimit të skrapit. Por sapo kanë konstatuar praninë e gazetares dhe operatorit te televizionit A1 Report, drejtuesit e KURUM kanë ndërprerë punën.
Më 10 Prill Ministria e Mjedisit mori vendimin për të pezulluar aktivitetin e kompanisë KURUM, duke i vendosur tre masa të detyrueshme të cilat duhet t’i plotësojë deri më 20 Maj të këtij viti. Ky vendim u shkel dy ditë më parë kur A1 Report konstatoi se KURUM kishte rinisur aktivitetin duke vënë në punë impiantin e përpunimit të skrapit, e duke u bërë sërish shkak për ndotjen e qytetit. Pas këtij denoncimi, inspektorët e Mjedisit u gjendën të mërkurën pranë kompanisë ku i komunikuan gojarisht vendimin e pezullimit, kjo pasi KURUM pretendoi se nuk ishte njoftuar zyrtarisht për urdhrin e Ministrisë së Mjedisit.
Por edhe ky veprim është injoruar totalisht nga KURUM, pasi sipas dëshmive të banorëve të zonës, menjëherë pas largimit të tyre, kompania ka vijuar punën gjatë gjithë natës.
Prej muajsh televizioni A1 Report u bë zëri i qytetarëve që kalonin çdo ditë të tyren mes tymit dhe ndotjes si pasojë e përpunimit të skrapit pa filtra, hedhjes së mbetjeve pranë lumit Shkumbin, etj, të cilat janë kthyer në burim të sëmundjeve kancerogjene.