Kosova po hyn në javën vendimtare pa një kandidat të qartë për president dhe me sinjale të forta se Vjosa Osmani nuk i ka votat për një mandat të dytë. Pak ditë nga afati kushtetues i 4 marsit, analistët në Prishtinë po flasin për bllokim dhe madje për zgjedhje të reja.

Analisti Melazim Koci mendon se asnjë parti nuk i ka numrat për ta zgjedhur e vetme presidentin.

“Kurti nuk ka arritur ta bëjë qeverinë nga zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar për vetëm katër numra. Tani nuk mund t’i kërkohet Kurtit që t’i sigurojë 15 numra për këdo qoftë, andaj duhet të ketë marrëveshje. Ajo marrëveshje nuk mjafton me LDK-në, prandaj ose marrëveshje me PDK-në ose marrëveshje me LDK-në e me PDK-në, pasi që ka deputetë nga LDK që s’do të qëndrojnë në sallë”, tha Koci në një intervistë për RTK-në.

Sipas tij, fakti që Albin Kurti nuk i ka ofruar Vjosa Osmanit 30 nënshkrimet për nominim tregon se situata ka ndryshuar.

“Me faktin që Kurti është tërhequr dhe nuk ia ka ofruar zonjës Vjosa Osmani 30 nënshkrimet, edhe opozita duhet të bashkëpunojë, sepse e ka mundësinë të bashkëpunojë dhe jo të kërkojë bashkëpjesëmarrje në qeverisje, por të insistojë në një kandidat që është i pranueshëm edhe për ta”, shtoi ai.

Analistja Fatime Hajdari e quajti mungesën e mbështetjes për Osmanin një lajm të keq për vendin.

“Tashmë jemi në situatën ku jemi, siç shihet partitë politike nuk kanë gatishmëri për të mbështetur Osmanin edhe për një mandat. Konsideroj që ky është jo një lajm i mirë për Kosovën marrë parasysh performancën e zonjës Osmani. Konsideroj që Osmani në pozitën që ka mbajtur për 5 vite na ka përfaqësuar mirë. Përtej kësaj, paraqitjet e saj, imazhi i Kosovës përtej sfidave të krijuara herë pas here ka arritur të depërtojë edhe në arenën ndërkombëtare. Subjektiviteti i Kosovës gjatë kësaj periudhe edhe pse e vështirë, ka arritur të konsolidohet. Gjatë kësaj kohe sa ajo ka qenë presidente, kemi pasur 4 njohje të reja, pastaj kemi këtë iniciativën e re për Bordin e Paqes dhe bashkërendimin me Shtetet e Bashkuara”, tha Hajdari.

Ajo paralajmëroi edhe rrezikun e zgjedhjeve të reja dhe përfoljet për një emër nga familja Jashari.

“Po flitet në qarqe të ndryshme, por nuk e kemi një konfirmim zyrtar që kandidat mund të jetë dikush nga familja Jashari, një familje që ka dhënë pa diskutim shumë për Republikën e Kosovës, një familje që ne kemi respekt. Por, përtej kësaj nuk e di a kanë gatishmëri për të zhbllokuar situatën, dhe pastaj çka nëse emri i dikujt sillet në Kuvend, por nuk ka prapë gatishmëri prej subjekteve politike, sa do të lëndohej imazhi, reputacioni, gjithçka që familja përfaqëson, unë këtë gjë nuk e di. Dhe nuk e di a ka marrëveshje për një gjë të tillë”, tha ajo.

Edhe analisti Sadik Zeqiri mendon se zhvillimet e fundit tregojnë se Kurti nuk do ta mbështesë Osmanin.

“Dhe nuk do ta propozojë Vjosa Osmanin, por ndoshta as nuk do t’i japë numrat apo nënshkrimet nga deputetët e tij për nominimin e saj për presidente. Duket se Albin Kurti e ka lutur apo i ka kërkuar Osmanit që ajo t’i kërkojë apo sigurojë nënshkrimet dhe më pas t’i hyjë garës, dhe duket se Vjosa Osmani nuk ka arritur që t’i bindë edhe 6 deputetë nga Lista Guxo, e cila me siguri se do ta mbështesë Vjosa Osmanin dhe 24 nënshkrime të tjera. Duket se Kurti nuk do t’ia ofrojë ato nënshkrime dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë fare garantuese dhe nuk do të jetë ajo që do ta propozojë kandidaturën e Vjosa Osmanit në Kuvend”, tha Zeqiri.

Në RTV21, deputeti i Vetëvendosjes Driton Hyseni tha se ende nuk ka emra konkretë.

“Deri tash nuk ka emra të përveçëm mund të jetë edhe presidentja Osmani e rëndësishme është që fillimisht të sigurohen numrat të arrihet konsensusi…”, tha Hyseni.

Nga PDK, shefi i grupit parlamentar Arian Tahiri tha se kërkohet një figurë unifikuese.

“Jo nuk është figurë unifikuese, edhe pse në këtë fazë nuk isha lëshu në emra të përveçëm sepse deri më tani kemi diskutuar vetëm për parimet që duhet t’i ketë presidenti i ardhshëm pra unifikues dhe me peshë edhe vendore edhe ndërkombëtare…”, tha Tahiri.

Ndërsa Enver Hoxhaj u shpreh se do ta votonte cilindo anëtar të familjes Jashari.

Nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Analistët në Prishtinë thonë se gjithçka tani varet nga marrëveshjet e minutës së fundit dhe nga lëvizjet e Albin Kurtit.