Kush është Hashim Thaçi

Kush është Hashim Thaçi
Ish-lideri i studentëve të Prishtinës me profesion historian, i njohur si kryeministri i parë i Kosovës së lirë dhe të pavarur, sot është zgjedhur president i vendit. 47-vjeçari Hashim Thaçi gjatë angazhimit të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës njihej me pseudonimin “Gjarpri”.

Ndërsa gjatë angazhimit të tij politik në vitet e pasluftës, ai njihet si politikani më i votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Hashim Thaçi ka lindur më 24 prill 1968 në Burojë të Skenderajt. Shkollën fillore e ka përfunduar në Shkollën "Liria" në Turiçevc, për të vazhduar pastaj gjimnazin në shkollën “Ramiz Sadiku” në Skenderaj.

Ai flet gjuhën angleze dhe gjermane, dhe ka qenë kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, më 1993, Hashim Thaçi, me sukses të lartë i përfundoi studimet në Degën e Historisë. Ndërsa, në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (1996), i kishte ndjekur studimet postdiplomike në lëmin e Historisë së Evropës Juglindore dhe shkencave politike, deri në fillim të vitit 1998.

Në jetën politike fillimisht ishte angazhuar në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës në vitet 1989 – 1993, (LPK). Gjatë viteve 1990 – 1993 ai ishte lider i Lëvizjes studentore. Gjatë këtyre viteve ai kishte pasur edhe angazhime të tjera. Në vitin 1991, Hashim Thaçi ishte zgjedhur prorektor student i Universitetit të Prishtinës. Thaçi ishte edhe një ndër themeluesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1992), dhe gjatë viteve të luftës, ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata serbe e Prishtinës më 1997, Hashim Thaçin dhe një grup pjesëtarësh të UÇK-së, në krye me Adem Jasharin, i kishte gjykuar në mungesë dhe i kishte dënuar me burg.

Prej vitit 1999, Hashim Thaçi ka afirmuar dhe mbrojtur çështjen e Kosovës me shumë ligjërata dhe fjalime, në dhjetëra universitete dhe institute prestigjioze të vendeve Perëndimore. Gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Perëndim, Hashim Thaçi shpesh herë ishte kthyer ilegalisht në Kosovë, për t’i forcuar formacionet e UÇK-së në terren.

Në tetor të vitit 1999 e themeloi Partinë e Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK), ndërsa në Kuvendin e Parë Zgjedhor (2000), Hashim Thaçi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK).

Gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, të mbajtur në Rambuje të Francës, (6 – 22 shkurt 1999), Hashim Thaçi ishte Kryesues i Delegacionit të Kosovës. Konferenca përfundoi në Paris më 18 mars 1999, ku pas nënshkrimit të palës shqiptare, iu hap rruga intervenimit ushtarak të NATO-s për Kosovën.

Që nga marsi i 1999 deri në janar të viti 2000, Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (Qeveria e Unitetit).

Pas luftës, si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi morri pjesë në negociata me faktorin ndërkombëtar dhe është nënshkrues i marrëveshjes për transformimin e UÇK-së, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Me fillimin e punës së Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), si strukturë e përbashkët qeverisëse me misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK), ishte anëtar i këtij Këshilli prej janarit 2000, deri në zgjedhjet e para parlamentare 2001.

Hashim Thaçi u rizgjodh kryetar i PDK-së edhe në Kuvendin e Dytë (2002) dhe të Tretë Zgjedhor (2005).

Gjatë procesit negociator (2005 – 2007), të udhëhequr nga i dërguari i Posaçëm i OKB-së Presidenti Martti Ahtisaari, Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit. Dokumenti i Ahtisaarit rezultoi me propozimin gjithëpërfshirës për pavarësinë e Kosovës.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008.

Në tri legjislatura të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur deputet. Ai është lider politik me numër më të madh të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Në shtypin vendor, rajonal dhe atë ndërkombëtar ka botuar shkrime dhe artikuj të shumtë. Ai së fundi ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Qeverinë Mustafa.

Hashim Thaçi jeton në Prishtinë, me gruan Lumnijen dhe djalin e vetëm, Endritin.

 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Media britanike “Daily Express”: Shqipëria perla e fshehur evropiane, duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve

Media britanike “Daily Express”: Shqipëria perla e fshehur evropiane, duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve