Kush është trafikanti i drogës i lidhur me tre deputetë të Kuvendit të Shqipërisë?

Deputeti socialist Erion Braçe, duke iu përgjigjur akuzave të kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka për lidhje të shefave të policisë me trafikun e drogës, u shpreh dje se ka dosjen e një trafikanti dhe lidhjet e tij me 3 deputetë.
 
Në një postim në faqen e tij në Facebook, Braçe shprehet se disponon dosjen e siguruar nga Shërbimet Sekrete të Policisë ku del në pah lidhja e një trafikanti të madh droge me disa politikanë. 
 
“Unë nuk kam shpifje në fakt, unë kam dosje, dosje të operativëve të shërbimeve policore dhe shërbimit sekret për lidhjet e një trafikanti droge me politikanë shqiptarë, tre prej të cilëve në Kuvend sot. Mbase është rast i mirë për ta bërë publike, në gjykatë akoma më mirë”, shkruan Braçe.
 
Një ditë më parë nënkryetari i PD-së, Edi Paloka akuzoi një shef komisariati të Burrelit të lidhur me deputetin Braçe dhe Emiljano Shullazin.
 
Henrigert Mitri, menaxhon mbi 40 mijë rrënjë në zonën e Burrelit, ku është shef komisariati, një njohje e vjetër e Shullazit dhe Erjon Braces. Ishte shef komisariati në Lushnje, kur ndihmoi për fshehjen e provave pas rënies së avionit me drogë në Divjakë”, tha Paloka.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com