TIRANË- Një qenush ndodhet në spital prej katër ditësh. Ai u gjet në zonën e Liqenit të Tiranës në gjendje të rëndë. Pas kontrolleve nga veterinerët, u konstatua se ishte helmuar.

Si ky qenush i sëmurë që kishte shëtitur në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë, veterineri Martin Llazani ka ekzaminuar dhe tre të tjerë. Të gjithë, dyshohet të kenë konsumuar ushqim të helmuar, të hedhur në rrugë nga persona ende të paidentifikuar nga autoritet policore.

“Të katër rastet janë mirë. Është një helmim që nëse nuk gjendet shpejt nuk ka shpresa. Fosfoorganiket janë një klasë insekticidesh që blihen në farmaci bujqësore. Futen në ushqime. I pari që ka ardhur ka qenë një qen rruge. I fundit dje ka qenë me të zot”, tha ai.

Aktivistë për mbrojtjen e kafshëve nuk besojnë në rastësi. Gishtin e akuzës e ngrenë ndaj administratorëve të lokaleve, por edhe të pallateve përreth zonës.  Afërdita Halili, vullnetare që kujdeset për qentë e rrugës, është e para që ka bërë denoncimin në polici.

“Deri në këtë moment nga dita e hënë më rezultojnë 11 qe të helmuar. Këtu i kam gjetur këtu tek diga. Shkova në komisariat, bëra denoncim dhe më thonë se hetimet vazhdojnë. Dyshoj tek lokalet, kioska, administrator i pallatit tre. I helmojnë sepse i prishin bukurinë e lokalit. Aty ku ke hedhur ushqimin, fëmijës i bien një top. Me ata duar fëmija mund të preke diçka. Përpara dy orësh kam marr një ushqim me helm dhe e kam çuar në komisariat”, shtoi Llazani.

Indrit Osmani nga organizata për mbrojtjen e kafshëve, ARSA thotë se reagimet ndaj këtyre rasteve janë të pakta, ndërsa shqetësim shumë i madh sipas tij është  fenomeni i blerjes së helmeve bujqësore nga çdo njeri. 

“Shqipëria para disa vitesh ka miratuar disa nene për mbrojtjen e kafshëve që dënojnë keqtrajtimet, helmimet. për helme që mund të kryesh vrasje, mund ti hedhësh në depozitë uji apo të kryesh akte terroriste shiten pa asnjëlloj kontrolli, recete”, përfundoi veterineri.

Deri më tani, 5 qenë kanë ngordhur nga helmimi në zonën e Liqenit, ndërsa në polici rastet janë denoncuar dhe pritet zbardhja e ngjarjes.