Kushtet e PD, dita e 50 e protestës
Basha harron qeverinë teknike 

Kushtet e PD, dita e 50 e protestës<br />Basha harron qeverinë teknike 
Për herë të parë, në ditën e 50 të protestës me turne para Kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk e ka përmendur krijimin e një qeverie teknike si kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit. Kreu i opozitës, gjatë fjalës së tij në çadrën e protestës, u ndal tek Republika e Re, domosdoshmëria e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, droga, korrupsionin, koncesionet, komploti ndërkombëtar etj., por nuk lakoi asnjëherë kushtin për krijimin e një qeverie teknike. Ndërkaq, disa orë para fjalimit të Bashës, i deleguari i opozitës për negociatat me stafin e kryeministrit, Oerd Bylykbashi, ka shkruar se, në 19 maj, me shpërndarjen e Parlamentit, qeveria Rama kthehet në qeveri teknike. “Më 19 maj, maksimumi, ky parlament shpërndahet. Kështu thotë ligji. Sado të ngrefoset se dikur paska patur 1 milion vota, me pak fjalë, shumë shpejt qeveria e Edi Ramës teknikisht kthehet në qeveri "teknike", por jo e besueshme”, shkruan deputeti i PD.

Basha akuza SHBA-BE
Kryetari i opozitës Lulzim Basha kanë përshkallëzuar sulmet ndaj faktorit ndërkombëtar(SHBA-BE), për shkak të pozicionimit kundër bojkotit të Kuvendit dhe kushtëzimit të pjesëmarrjes në zgjedhjet e Qershorit. “Në funksion të saj dhe vetëm në funksion të pushtetit dhe parave, paguhen me paratë e drogës shqiptare lobistë evropianë dhe amerikanë, fundërrina morale, të cilët bëjnë duanë e krimit të organizuar shqiptar dhe qeverisë më të korruptuar të Evropës, vetëm e vetëm që të vjelin milionat e dollarëve dhe eurove që merren nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Evropës”, tha Basha. Kreu i PD, tha se kryeministri ka ngritur një alibi kundër opozitës bashkë me një tufë të korruptuarish ndërkombëtarë. “Fabula e fundit është se, ne duam të pengojmë PS të marrë pjesë në zgjedhje dhe ti fitojë ato. Fabula e fundit është se, Edi Rama po e bën gjithë këtë qëndresë jo për të ruajtur karrigen dhe privilegjet e pushtetit, që ti përdorë për ti prishur e kapur zgjedhjet e shqiptarëve, po sepse ai do të bëjë drejtësinë, ai do të bëjë shtetin. Ka ngritur bashkë me një tufë të korruptuarish ndërkombëtarë mitin se,  Edi Rama donte drejtësinë dhe ne nuk e duam dhe për një kohë të gjatë. Se ne, këtu, hapim shpirtin apo jo”, tha Basha.

Reforma në drejtësi
Lulzim Basha deklaroi dje se nuk ka ndërmend të votojë për zbatimin e reformës në drejtësi me këtë qeveri. “Kurrë, kurrë Edi Rama nuk do ta ketë në dorë drejtësinë shqiptare, se PD nuk do të jetë kurrë alibia që Edi Rama dhe kriminelët të shtinë në dorë drejtësinë shqiptare. Reformë në drejtësi alla-Shullaz, nuk ka për të pasur kurrë. Ne dhe qeveria e dalë me votë të lirë e ndershme do ta zbatojmë reformën në drejtësi jo sipas përcaktimeve Rama-Tahiri-Shullazi, para të cilave mbyllën sytë ata që nuk kanë interes reformën në drejtësi por karrigen e Edi Ramës, për arsyet që i dinë vetë dhe turp të kenë, por ne, do të zbatojmë reformën në drejtësi që votuam sipas formulës së rakorduar, SHBA-BE. Vetëm dhe vetëm pasi 6 ligjet të kenë vulën e konsensusit opozitar sipas marrëveshjes politike të 21 Korrikut. Kush nuk ka kohë për ti dëgjuar këto detaje bën mirë të hapë veshët se nuk janë detaje. Kush i dëgjon dhe i kupton ta dijë se shteg tjetër për reformën në drejtësi nuk ka dhe nuk mund të ketë”, pohoi kreu i PD.  


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Temperatura deri në 41 gradë, si parashikohet moti sot

Temperatura deri në 41 gradë, si parashikohet moti sot