PD kërkon shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Aktit Normativ nr. 6, datë 04.10.2013 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2013 “Për buxhetin e vitit 2013”
Shtyrja e seancës u bë pasi mungonin përfaqësuesit e qeverisë. Deputeti i PD-së Eduard Halimi theksoi se qeveria refuzoi të përballej me qytetarët dhe gjykatën.
“Sot ishte parashikuar të zhvillohej seanca gjyqësore për shpalljen si anti-kushtetues të aktit normativ i cili rriti borxhin në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Por edhe pse Këshilli i Ministrave kishte dijeni rregullisht siç u konstatua nga Gjykata Kushtetuese nuk paraqiti asnjë shkak të arsyeshëm të mosparaqitjes së tyre në seancë para Gjykatës, mungoi dhe refuzoi të përballej para qytetarëve, refuzoi të përballej përpara Gjykatës Kushtetuese me këtë akt të paprecedentë dhe skandaloz. Ky është akti më skandaloz ku Këshilli i Ministrave injoron gjykatën, injoron përballjen me qytetarët edhe pse ndodhet vetëm pak metra nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është qeveria e skandaleve që po na bën vendin dhe po e shndërron Shqipërinë gaz në sytë e botës” tha Halimi.
Ndërkohë që nesër shqyrtohet ankesa e dytë e PD-së për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr.932, datë 30.09.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor”.
Në fund të muajit nëntor të vitit 2013, Partia Demokratike depozitoi dy kërkesa për të shpallur si antikushtetuse vendimet e qeverisë për rritjen e kompetencave të INUK si edhe për marrjen e huas me aktin noramtiv të qeverisë për buxhetin vjetor të vitit 2013. Në secilën prej akt-padive, demokratët dhanë argumentet e tyre juridike, sipas të cilëve vendimi për kompetencat e INUK-ut është antikushtetues sepse cenon të paktën 5 parime kushtetuese, që nuk njohin të drejtën e pronës dhe i japin qeverisë kompetencat e pushteti lokal dhe atij gjyqësor.
Për aktin normativ që ndryshoi buxhetin vjetor të vitit 2013, PD-ja argumentoi padinë e saj, duke thesuar se cenon rëndë interesin publik. Sipas opozitës, në rastin konkret, interesi publik është i rrezikuar si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë për rritjen në mënyrë absurde të borxhit publik, duke rrezikuar, siç thonë në kërkesën e tyre demokratët, stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe duke çuar Shqipërinë në recesion ekonomik.
Shkrimi u publikua sot (28.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/b.g/shqiptarja.com)