TIRANË, 21 Qershor/ATSH/-Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha priti në takim një Delegacion parlamentar nga Kuvajti, të kryesuar nga z. Saud Nashmi Al-Huraije.
Basha shprehu mirënjohje për mbështetjen që Kuvajti i ka dhënë Bashkisë së Tiranës në realizimin e disa projekteve të rëndësishme për qytetin, si sheshi Skënderbej, konkursi për zgjatimin e Bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, etj.
Kryebashkiaku Basha falenderoi Kuvajtin dhe për vendimin më të fundit, për të financuar me 3 milionë euro, ndërtimin e një Kompleksi Edukimi në rrugën "Don Bosko".
Projekti parashikon ndërtimin e një shkolle 9-vjeçare, një shkolle të mesme, një kopshti dhe çerdhe të integruar, si dhe ndërtimin e një Qendre Sociale Multifunksionale.
Kuvajti, tha Basha ka dhënë një ndihmë të madhe për shqiptarët në momente të vështira pas rënies së regjimit komunist, apo gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Basha, ka kërkuar nga parlamentarët kuvajtian të nxisin investitorët e tyre për të shtrirë aktivitetin në Tiranë, ndërsa e konsideroi kryeqytetin e shqiptarëve një destinacion atraktiv për vizitorët kuvajtian.
Parlamentarët kuvajtian, duke shprehur kënaqësinë e takimit me zotin Basha dhe të bashkëpunimit të deritanishëm theksuan gadishmërinë e Kuvajtit për çdo projekt të Bashkisë së Tiranës, si dhe për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik.
Tirana është një qytet që ia vlen të vizitohet dhe investohet, deklaruan parlamentarët të cilët u angazhuan të nxisin investitorët e tyre të investojnë në Tiranë./a.gegvataj/