Kuvend/ Debate për Portin e Durrësit! Opozita: Thatë ‘zero lekë’ nga buxheti’, aferë korruptive! Qeveria: Investim strategjik

Në seancën e parë pas rikthimit të paqes në Kuvend, diskutimi më i rëndësishëm ishte ai i aktit normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, ku vendimi më i rëndësishëm është ai i financimit të Portit të ri tregtar në Durrës me buxhetin e shtetit. Për opozitën Qeveria duhet të japë llogari se pse gënjeu kur tha se asnjë lek nuk do të jepej nga buxheti i shtetit.

“A keni thënë që nuk do të jepnit asnjë lek për portin që iu dha një privati. Kjo është pyetja.  Sot duhet të mbani përgjegjësi për fondet publike nga buxheti i shtetit, nga taksat e rritura, që po shkojnë për portin e Durrësit që e ka marrë privati?”- tha Tabaku.

Përgjigjen ia dha ministrja e linjës.

“Sot në Portin e Porto Romanos do të jetë një bazë e NATO-s dhe duhet të investojë shteti shqiptar për të mbajtur pronësinë e atij aseti. Është një vendim strategjik së bashku me partnerët. Ka pasur një vendim për këtë projekt në selinë e NATO-s.  Nuk mund të japim një port që do të shërbejë edhe për arsye tregtare për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e veriut duke pasur aty edhe një aset kombëtar në kuadër të aleancës”- tha ministrja Balluku.

Deputeti socialist Erion Braçe nuk e kurseu ironinë edhe për këtë qëndrim të opozitës.

“Po ndërtojmë një Port publik, shtetëror me para publike. Ne kemi rënë dakord që të bëhet baza e NATO-s.. Apo do thoni pastaj si në Kuçovë se nuk na dhatë as karrige atje në bazën e NATO-s. Prapë për këtë do të flisni”- u shpreh Braçe.

Duke folur për ndryshimet në buxhet Braçe kërkoi subvencione më të lartë për bujqësinë dhe sa më shpejt një reformë të re pensionesh. 

“Unë nuk kam besim që do të zgjidhet problemi i evazionit gjigand që është në sektorin e turizmit. Do të duhet një skemë tjetër. Të rrisim subvencionin gjithëpërfshirës për bujqit dhe blegtorët. Paratë janë duhet ta bëjmë këtë gjë. Është themelore nëse ne duam të marrim diçka nga turizmi. Duhet reformë e plotë e pensioneve, plakja e popullsisë, evazioni fiskal. Duhet reformë. Nuk mund të vazhdojmë më me premtime. Zgjidh padrejtësitë që janë bërë me reformat e pensioneve”- tha deputeti i PS, Erion Braçe.

Për bujqësinë foli edhe deputeti Sula i cili në foltore u paraqit me 2 kokrra domate.

‘Aktin Normativ të ardhur në Kuvend para një muaji e prezantoi ministri i Financave, Ervin Mete, i cili thekson e vuri te reforma e thellë që do të rrisë pagat.’- tha Dashnor Sula.

“Buxheti 2024 do të vijojë mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Brenda muajit të ardhshëm pritet që të finalizohen VKM-të që do të detajojnë këto rritje të pagave, që fillojnë nga 1 korriku i vitit 2024”- tha ministri Ervin Mete.

Me rishikimin që ka pësuar buxheti i shtetit qeveria ka shtuar me 7.9 miliardë lekë pritshmëritë për të ardhurat dhe me 6.7 miliardë lekë shpenzimet, ndërsa për Portin e Durrësit këtë vet është parashikuar një fond prej 98 mln eurosh, nga 385 mln gjithsej.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:47
Projekti i dhëndrit të Trump në Sazan, Tabaku: Përse nuk bëhen gara të hapura për investimet e huaja?

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare ka komentuar në lidhje me projektin e dhëndrit të Trump, Kushner në Shqipëri. Tabaku u shpreh se nuk është kundër investimeve të huaja në vendin tonë.

Deputetja demokrate foli edhe për Portin e Durrësit ku theksoi se ishte thënë se do të bëhet pa marrë asnjë para nga buxheti i shtetit. Deputetja demokrat shtoi se duhet të bëhet një garë e hapur për investimet e huaja.

“Këtu janë bërë ligje jo në favor të qytetarëve. Një nga ligjet është ai për Portin e Durrësit, që u tha se asnjë para nuk do të dalë nga buxheti. Ligji për zonat e mbrojtura bën që në këto zona të ketë ndërtime. Është skandal fakti që ndërtohet në zonat e mbrojtura. Tani del lajmi se në Sazan do të ndërtojë një sipërmarrës serioz. Duhet të bëhej garë për kompaninë që merr përsipër të ndërtojë në Sazan dhe jo të bëhet fakt direkt në parlament.

Turizmi të zhvillohet, por zhvillimi duhet të vijë në mënyrë graduale. Përse nuk bëhen gara të hapura për investimet e huaja? Çdo ligj që miratohet në parlament duhet të ketë frymën e ligjeve që miratohen edhe në Kuvendet e vendeve që janë pjesë e Bashkimit Europian. Qeveria harxhon më shumë kohë në SPAK se në zyrat e saj. Nuk mund të flasin për luftë ndaj korrupsionit ata që ndodhen sot në dyert e SPAK-ut”, u shpreh Tabaku.

Ora 12:32
Akuzat e Rithemelimit për Portin e Durrësit, Braçe: Po mbroni interesat e portit të Patras, Kretës, Selanikut? E keni bërë rrugë tani për hatër të Belerit

Deputeti socoialist Erion Braçe iu përgjigj akuzave të Rithemelimit nga foltorja e Kuvendit, lidhur me Portin e Durrësit.

Sipas tij në kohën e qeverisjes së Berishës, porti shfrytëzohej nga një firmë koncesionare qesharake që nuk paguante rrogat e punonjësve.

'Prisja të flisnim për buxhetin. Por për cilin port flisni? Për Portin e Durrësit i cili në 90% ishte dhënë me koncesion,. Dhe qeveria merrte një firmë qesharake që nuk paguante as rrogat e atyre që punonin aty. Për portin ku shërbimet ishin koncesionuar mbi 90% sipas KLSH. Për këtë flisni? Për atë port që nuk shtrinte krahun e vinçit sepse binte mbi hotelin në krah. Çfarë po kërkojmë, apo çfarë akuzoni: që po ndërtojmë një port publik shtetëror me para publike, që rrit jo vetëm pasurinë por ofron shërbime më të gjëra. E për të konkurruar ato porte. Në cilët interesa flitet këtu? E kam me deputetin e Durrësit që foli këtu. Interesat e kujt po mbron, interesat e  portit të Barit, Brindisit, apo nga ana tjetër të Kretës, Selanikut? Që tani veni e vini për hatrin e Belerit. Për çfarë flisni që atje kemi rënë dakord atje të ndërtohet baza e NATO-s. Do thoni jemi kundër. Mendoj se duhet të flasim për buxhetin. Pas 5 muajsh që nuk patëm mundësi, është shumë e rëndësishme të flasim për buxhetin", tha Erion Braçe. 

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb