TIRANE, 26 Shkurt/ATSH/-. Kuvendi nisi shqyrtimin e marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë për tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin me Islandën, e cila ka si qëllim nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare.
Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, gjatë diskutimit vlerësoi si të rëndësishme marrëveshjen për thithjen e investimeve të huaja.
Kjo marrëveshje krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve ose personave juridikë shqiptarë apo islandezë që kanë aktivitete biznesi ose të ardhura të tjera, që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të dy shteteve.
Marrëveshja, dispozitat e së cilës kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dy vendeve, trajton faktin se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet apo duke e ndarë këtë të drejtë midis të dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë, dhe gjithashtu, ka dispozita në bazë të të cilave shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dy vendet.
Marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe qeverisë së Islandës për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal mbi të ardhurat, nënshkruar më 24.9.2012, bazohet në modelin e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD)./a.gjonaj//a.ke/