Kuvendi i Kosovës kalon me
82 vota pro Gjykatën Speciale

Kuvendi i Kosovës kalon me<br />82 vota pro Gjykatën Speciale
Parlamenti i Kosovës ka miratuar me  82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim ndryshimet Kushtetuese që i hapnin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale. Deputetët e opozitës edhe pse të pranishëm në Parlament nuk kanë marrë pjesë në votim. 

Për rreth 8 orë Parlamenti u përfshi nga debate mes deputeteve të dy kampeve politike. Opozita nuk mori pjesë në votim edhe pse qëndroi në sallën e Kuvendit. Vetëm 5 deputetët kundërshtuan krijimin e Gjykatës Speciale, ndërsa 1 anëtar i parlamentit abstenoi.

Më herët deputetët u përfshinë nga debatet të ashpra, ku opozita e ka quajtur krimin e kësaj gjykate si selektive, duke cënuar sovranitetin e Kosovës. Mazhoranca e ka argumentuar krijimin e Gjykatës Speciale si të domosdoshme për të t’i hequr dyshimet për krime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Gjykata Speciale, Kurti: Bota po i hedh baltë Kosovës
Pas pushimit në orët e drekës, ka rinisur seanca në Kuvendin e Kosovës për miratimin e Gjykatës Speciale. Seanca ka rinisur me debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe shumicës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kundërshtuar amendamentet kushtetuese të miratuara nga qeveria.

“Duke qenë se Kosova është republikë parlamentar, atëherë le të votohet në Kuvend”, ka thënë Kurti, duke kritikuar gjithashtu edhe amendamentet që parashikojnë burgimin e të dyshuarve në shtete të tjera dhe jo në Kosovë.

“Kjo është njësoj si burgu i Guantanamos. Por ndërsa burgu i Guantanamos dihet që ndodhet në ishullin kuban, në rastin tonë nuk dihet se ku do të burgosen të dyshuarit. Mund të jenë vende që janë kundër UÇK-së dhe që janë edhe kundër ndërhyrjes së NATO-së”, tha Kurti.

Kurti nuk la pa kritikuar edhe miratimin e amendamenteve që parashikojnë që në Gjykatën Speciale nuk do të lejohen të marrin pjesë gjyqtarë kosovarë.

“Disa kanë bërë thirrje për pastrim, neve duan të na vulosin si të pastër. Këto janë metoda të ndyra”, tha ai.

Limaj: Serbët nuk do të votojnë largimin e amendamenteve të Speciales kur t'u vijë koha
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj tha se në rast se votohen amendamentet Kushtetuese për themelimin e Speciales, kur do të duam ti largojmë ato  nga Kushtetuta e Kosovës do të duhen edhe votat e serbëve në Kuvend, të cilat ai thotë se asnjëherë nuk do t'i kenë.

Limaj tha se ashtu siç duhet vota e tyre për të kaluar kjo gjykatë, votat e tyre do të jenë pengesë kur duam ta largojmë amendamentet e kësaj gjykate pasi ta ketë kryer misionin e saj. 


Mustafa: Serbia është burim i krimeve, por Kosova duhet të ngre Gjykatën Speciale
 Kryeministri i Kosovës Isa Mustfa i hodhi poshtë pretendimet e opozitës se qeveria po shkel Kushtetutën duke i riproceduar në Kuvend amendamentet për themelimin e Gjykatës Speciale.
 
Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit nuk e kufizon mundësinë qe Qeveria e Kosovës te riprocedojë në kuvend amendamente të tilla”, tha kryeministri i Kosovës gjatë prezantimit të arsyeve se pse u riproceduan në Kuvend këto amandamete.
 
Duke theksuar se Serbia ishte burim i krimeve të luftës, Kryeministri deklaroi para deputetëve se Kosova duhet të marrë përgjegjësinë për të votuar Gjykatën Speciale. Mustafa shtoi se nuk ka arsye për t’i ikur përgjegjësisë për zbardhjen e krimeve, ashtu sikurse sipas tij nuk ka pse të frikësohet përballë pretendimeve të ngritura ndaj luftës së UÇK-së. Sipas Mustafës, zbardhja e së vërtetës është një sfidë të cilën Kosova duhet ta kalojë, si vend që ka përfaqur rrugën evropiane.
 
Kosova demonstron gatishmërinë që të përballet me drejtësinë edhe pse burimi i krimeve dhe dhunës në Kosovë ishte Serbia. Ne kemi pasur adresime dhe porosi të qarta nga të gjitha vendet mike se Qeveria dhe Kuvendi duhet ta marrin përgjegjësinë që ta themelojnë këtë gjykatë. Gjatë riprocedimit jemi bazuar edhe në opinionin e Gjykatës Kushtetuese e cila në aktgjykimin e saj e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit duke deklaruar se amendamenti 24 nuk e cenon të drejtën e njeriut”, tha Mustafa.
 
Mustafa tha se është më mirë që rastet të gjykohen në Kosovë
 
Konjufca: I thamë jo rezolutës për genocidin serb e po dënojmë luftën e UÇK!
 Kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjuca tha se është i zhgënjyer nga qëndrimet e dy kolegëve Ilmi Reçica dhe Adem Grabocvi të cilët kanë qenë në burg kur në pushtet ishte Mustafa. Të njëjtin zhgënjim ai tha se e sheh edhe ndaj kryeministrit të Kosovës.
 
Konjufca e sheh paradoksale faktin që Kuvendi i tha jo rezolutës për gjenocidin serb të kryer në Kosovë e ndërkohë po provon të dënojë sipas tij luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
“Atë që bëri Kuvendi historia s’do ta besojë. Prioritet i Kuvendit të Kosovës qenka dënimi i UÇK-së e jo dënimi i gjenocidit serb në Kosovë”, shtoi Konjufca.

Deputetja e LDK-së Limajt: Nëse do bëhej fjalë për tender 80 milionësh do e votoje 5 herë
Seancës së Kuvendit në Kosovë nuk i kanë munguar edhe debatet e forta mes deputetëve. Deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli ka thumbuar kreun e Nismës Fatmir Limaj, duke i thënë se nëse do të bëhej fjalë për ndonjë tender miliona euro “do ta votonit edhe mirë bile”.
 
"Nëse nuk doni të votoni thuajeni që nuk doni. Të gjithë e dimë se nëse kish qenë puna për të votuar për tenderë 80 milionësh, që EULEX’i ka evidentuar që ka pasur parregullsi, kishit votuar nga 5 here jo më 2 2, Z. Fatmir Limaj", - tha ajo
 
Pas kësaj, ka reaguar Limaj duke thënë se i vjen keq për deputeten e LDK ‘së. "Me gjithë respektin për zonjën Tërmkolli, nuk dua të përgjigjem në këtë deklaratë fare. Kjo po tregon që nuk ka lidhje me çështjet juridike", deklaroi Limaj në kundërpërgjigje të deklaratës së deputetes.
 
Më herët gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryetari i NISMA për Kosovën Fatmir Limaj, tha se amendamenti për ndryshimin e Kushtetutës do të duhej të shkonte përsëri në Gjykatën Kushtetuese, pasi kështu parasheh Kushtetua.

“Kur Parlamenti i ka thënë jo atyre ndryshimeve, procesi është kthyer në zero. Ka qenë obligim kushtetuese të ndiqen edhe një herë procedurat e njëjta”, tha ai.
 
Kadaj-Veselit: Mos e shkel Kushtetutën në emër të Deputetëve
Kryetarja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, nuk ka të drejtë që në emër të deputetëve të thërrasë seancë me anë të se cilës sipas saj shkelet Kushtetua e Republikës së Kosovës.

“S’keni të drejtë që në emrin tonë ta shkelni kushtetutën”, tha Kadaj nga foltorja e Kuvendit.
 
Edhe Vetëvendosja dhe NISMA bënë thirrje që sipas tyre të mos shkelet kushtetuta përmes votimit të Gjykatës Speciale përmes Kuvendit, një muaj pasi nuk kishte arritur të merrte votat e mjaftueshme nga deputetët.

Haradinaj: Po na detyroni të votojmë dy herë në mënyrë të paskrupullt
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës kërkoi respektimin e procedurave dhe rregullorës së parlamentit. Sipas tij deputetët po detyrohen të votojnë nga dy herë.
 
“Ne kemi vërejtje në shumëçka, për çka është fjala në këtë rast, po na detyroni të votojmë dy herë në mënyrë bukur të pa skrupullt. Është riprocedim dhe ju jeni kryetari i Kuvendit dhe ju duhet t’i respektoni procedurat”, - tha Haradinaj.
 
Thaçi e Kuçi freskohen në hollin e Kuvendit
Përballë debatit të nxehtë në sallën e Kuvendit të Kosovës për krijimin  ose jo të Gjykatës Speciale për krimet e luftës, ministri i jashtëm Hashim Thaci dhe Hajerdin Kuçi kanë zgjedhur të freskohen duke pirë ujë në hollin e Parlamentit e duke shëkmbyer një bisedë mes tyre.

Seanca e 26 qershorit dështoi, nuk u morën votat
Kjo është hera e dytë që Qeveria procedon këtë amendament në Kuvend, ndërkohë që herën e parë më 26 qershor ndryshimet kushtetuese nuk morën votat e mjaftueshme. Për t’u miratuar ky amendament duhen votat e 81 deputetëve gjë që shkaktoi dështimin e votimit në seancën e parë, ku u morën vetëm 75 vota. Miratimi i amendamentit ngeci për shkak se 7 deputetë të PDK abstenuan ndërsa 2 votuan kundër

Kësaj radhe edhe Thaçi, por edhe kryeministri Isa Mustafa janë të bindur se i kanë votat e mjaftueshme që ky amendament të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri Mustafa tha dje se i kanë numrat ndërkaq një gjë të tillë e ka thënë edhe nënkryetari i Kuvendit dhe anëtari i Kryesisë në PDK, Xhavit Haliti.Sipas tij, deputetët që herën e kaluar kanë votuar kundër i kanë premtuar Thaçit se do ta votojnë Specialen me përjashtim të katër prej tyre.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës