Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë me 88 vota pro ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Ky moment u prit me duartrokitje nga të pranishmit.
Me këtë votim, Kuvendi përmbylli shqyrtimin e projektligjit, i cili ishte miratuar në lexim të parë më 5 tetor.
Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.
Çfarë janë Dhomat e Specializuara?
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Lajmi kryesor:
Kosovë/ Merr fund kriza politike, Justina Shiroka Pula zgjidhet Presidente me 81 vota: Do punoj për unitetin e vendit! Kuvendi miraton edhe ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale








