Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Kuvendi Kombëtar i PD-së po zhvillohet në frymën e ripërtëritjes së partisë, ndërsa vlerësoi listat e kandidatëve për Këshillin Kombëtar si ndër më dinjitozet që ka pasur kjo forcë politike.

Gjatë një prononcimi për mediat pasi hodhi votën e tij për përbërjen e Këshillit Kombëtar, Berisha tha se listat përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike dhe pasqyrojnë frymën e rinovimit që, sipas tij, karakterizon këtë Kuvend.

“Jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, përfaqësojnë një ripërtëritje në frymën e këtij Kuvendi si Kuvendi i ripërtëritjes. Listat janë nga më dinjitozet. Natyrisht, shumësia e kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen, sepse ka kandidatura të shkëlqyera”, u shpreh ai.

I pyetur nëse procesi i ripërtëritjes do të prekë të gjitha strukturat e PD-së apo vetëm Këshillin Kombëtar, Berisha theksoi se bëhet fjalë për një transformim më të gjerë të partisë.

“Ripërtëritje do të thotë vizion, do të thotë modernitet i Partisë Demokratike dhe një organizim shumë më i fuqishëm”, deklaroi ai.

Kreu demokrat nuk përjashtoi ndryshime edhe në nivelet më të larta drejtuese të partisë, duke theksuar se vendimmarrja do t’i takojë votës së anëtarësisë.

“Vota i përcakton natyrisht, por sensi i ripërtëritjes është një fill i kuq që përshkon gjithçka”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Kuvendi/ Votohen ndryshimet në statutin e PD, zbehen ‘primaret’, kandidatët do futen në filtrin e një komisioni! Berisha sulm tjetër ndaj mediave dhe Ramës