TIRANE - Sot, Kuvendi i Shqipërisë miratoi dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e zotit Admir Thanza dhe zotit Tom Ndreca si anëtarë të Gjykatës së Lartë, për emërimin e zotit Xhezair Zaganjori si Kryetar të Gjykatës së Lartë, si dhe dekretin për emërimin e zotit Fatos Lulo si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Në vijim, Kuvendi miratoi edhe kandidaturën e zotit Abaz Aliko si anëtar të bordit të komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë, si dhe kandidaturën e zotit Lulzim Lelçaj si anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kuvendi miratoi dhe një sërë ligjesh të rëndësishme me impakt direkt në ekonomi, infrastrukturë dhe sistemin e kujdesit shëndetësor.  Sipas burimeve zyrtare të Kuvendit, deputetë të grupeve parlamentare debatuan për më shumë se 6 orë në lidhje me projektligjet e parashikuara në rendin e ditës. Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi:

Projektligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoriteti kontraktues dhe shoqërisë Rapiscan Security si koncesionar për financimin ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të konteniereve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”;

projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.8438,datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar; 

projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”;

projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.10383,datë 24.2.2011. “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”;

projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes Istisna’A dhe marrëveshjes së Agjencisë Istisna’A, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), për financimin e projektit të ndërtimit të Portit të Peshkimit të Durrësit”;

projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes Istisna’a dhe marrëveshjes së agjencisë Istisna’A ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për ndërtimin e seksionit Qukës – Qafë Plloçë të korridorit rrugor Tiranë – Korçë”;

projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar;

projektligjin “Për ratifikimin e kontratës për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të MORPHO dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve.”;

projektvendimin “Për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.04.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

Redaksia online
(v.gj/shqiptarja.com)