Kuvendi në "dietë", kurseu
130 milionë lekë në vitin 2015

Kuvendi në 130 milionë lekë në vitin 2015">
TIRANË - Ndryshe nga institucionet e tjera që gjatë vitit 2015 erdhën disa herë në Kuvend me kërkesën e fondeve shtesë, vetë Kuvendi i Shqipërisë ka kursyer plot 130 milionë lekë të reja krahasuar me parashikimin buxhetor. “Shqiptarja.com” disponon relacionin e plotë  “Mbi zbatimin e buxhetit të vitit 2015”, ku saktësohet se nga buxhetit total i 1.016.400.000 lekëve të parashikuara, janë harxhuar vetëm 885.900.000 lekë, duke kursyer 130.500.000 lekë.  Kursimet janë bërë në zërin e shpenzimeve operative, ku sipas relacionit, deputetët kanë kërkuar dieta më pak sesa ligji ju lejon.

“Ky grup shpenzimesh planifikohet mbi bazën e një numri prej 8 -10 mbledhje komisioni për një muaj, por këto nuk janë realizuar sipas planifikimit buxhetor, po kështu dhe deputetët kanë vetëdeklaruar më pak ditë shërbimi sesa u njeh Statusi, duke rezultuar me fond të papërdorur për këtë qëllim dhe është kthyer në buxhet, me kërkesën e Institucionit dhe sanksionuar në aktin normativ”,-thuhet në relacion. Për vitin 2015, shpenzimet operative rezultojnë të realizuara kundrejt buxhetit fillestar në masën 87%.

“Shpenzimet telefonike kanë pësuar rënie të ndjeshme pasi, ndërsa telefonia fikse është konsumuar në mënyrë të kontrolluar e mirëmenaxhuar, telefonia celulare nuk ka pasur kontratë, kështu që nga buxheti i shtetit nuk është paguar telefoni mobile për përfituesit. Për telefoninë janë planifikuar 11.4 milion lekë dhe janë shpenzuar 3 milion lekë”,-thuhet në relacion. Shpenzimet e energjisë, ujit dhe shërbimit postar, gjithashtu paraqiten me rënie shpenzimesh: nga 13 milion të planifikuara janë realizuar 8.5 milion lekë.

“Shpenzimet e pritjes janë në rritje për shkak të numrit të delegacioneve të huaja në vendin tonë, ndërsa janë respektuar kuotat e ushqimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi, megjithëse i pandryshuar që nga viti 1995. Shpenzimet e transportit paraqitën me rritje jo vetëm se në vitin 2014 nuk u arrit blerja e pjesëve të këmbimit dhe u blenë në vitin 2015, por dhe se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka tashmë një flotë dinjitoze për pritjen e delegacioneve të huaja dhe në shume raste është detyruar të marrë autovetura me qira.

Po kështu dhe në rastet e konferencave ku ka një numër të konsiderueshëm të delegacioneve të huaja”,-arsyetohet në relacionin e buxhetit të Kuvendit për vitin 2015. Vitin e shkuar, Kuvendi ka zhvilluar një sërë investimesh kapitale, që kapin vlerën totale 62 milionë lekëve të reja, ku janë kryer rikonstruksion i godinës ekzistuese në tualete e tarracë, rikonstruksion i skanerit të sigurisë, rikonstruksion i sallës së seancave plenare, rikonstruksion ashensori dhe ashensor i ri, shtimi i kamerave të sigurisë, mobilim zyrash, blerje pajisjesh për zyrat zgjedhore të deputetëve, si dhe studim për rikonstruksionin e godinës së kryesisë.

Vlera specifike e këtyre investimeve specifikohet në tabelën në këtë faqe. “Shpenzimet kapitale, përsa i përket vlerës janë realizuar në masën 92 %, ndërsa si projekt vetëm  “Projekt për rikonstruksion te sallës se seancave”, nuk është realizuar. Pjesa tjetër janë kursime nga procedurat e prokurimit dhe do të kthehen në buxhetin e shtetit. Në pagesat e faturave është mbajtur 5 % për garanci cilësie”,-thuhet në relacionin e Kuvendit.
 
Kuvendi: Zyrat e deputetëve, bashkitë nuk japin ambiente. Mungesat e deputetëve, Kuvendi nuk u paguan shpërblimet
Teksa analizon realizimin e buxhetit të vitit 2015, Kuvendi vëren me shqetësim, se edhe pse ka pasur fonde, ai nuk ka arritur të hapë zyra lokale në të gjitha zonat zgjedhore për deputetët sepse nuk u janë vendosur në dispozicion ambiente nga bashkitë, sikundërse parashikon ligji. Pjesë e këtyre kursimeve janë shpenzimet për paga.

Sipas relacionit, Zëri i pagave është realizuar  88%, kundrejt planit buxhetor fillestar.Janë miratuar në ligjin vjetor të buxhetit 24 punonjës ( numër) për zyrat zgjedhore në rrethe, por vetëm 7 prej tyre kanë filluar marrëdhëniet financiare me Kuvendin, për shkak të mos vënies në dispozicion të ambienteve nga autoritetet vendore në shumë rrethe”-thuhet në relacion. Deputetë që kanë munguar në aktivitete parlamentare nuk kanë marrë pagesat, apo vende të lira pune që ende nuk janë plotësuar për shkak se janë në proces konkurrimi, kanë rezervuar kursime për Kuvendin. “Një pjesë e pozicioneve nuk janë plotësuar, janë në proces konkurrimi.

Statusi i deputetit, i cili parashikon penalitet (mospagesë të pagës ditore) për deputetët që nuk përligjin mospjesëmarrjen në aktivitetet parlamentare, luan rolin e vet në këtë mosrealizim fondi. Gjatë vitit buxhetor, punonjës të paaftë për punë për shkaqe shëndetësore apo leje lindje  paguhen nga Strukturat e Sigurimeve Shoqërore”-thuhet në relacionin e buxhetit. Në këtë dokument, evidentohet një tjetër shqetësim i kuvendit, sa u takon vendimeve gjyqësore të pazbatuara, kur kërkojnë një ndërhyrje në ligj përmes Ministrisë së Financave.

“Gjatë vitit ushtrimor kemi hasur vështirësi në zbatimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me kontributet e sigurimeve shoqërore për kreditorët, të cilat i kemi bërë me dije Sekretariatit për buxhetin dhe Byrosë së Kuvendit dhe është marrë vendim të kërkohet amendimi i bazës ligjore në lidhje me këtë çështje”-thuhet në relacion. Në përmbyllje të dokumentit, Kuvendi ka parashtruar dhe objektivat për këtë vit buxhetor.

“Tashmë  ka hyre në fuqi ligji për buxhetin e vitit 2016 , dhe synimet e administratës së Kuvendit janë: Rritjen e eficencës dhe efektivitetit të menaxhimit të shpenzimeve publike; Mundësimin e plotësimit të nevojave  buxhetore në realizimin e politikave të programeve; Përfshirjen që nga procesi i vlerësimit të nevojave deri në zbatim të buxhetit  e të gjithë menaxherëve të lartë të Institucionit dhe orientimin e shpenzimeve në ato drejtime që vlerësohen si prioritete për politikën e programit”,-përfundon relacioni.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Radhë kilometrike në pikën kuftare të Muriqanit! Makinat në pritje nga Mali i Zi për të hyrë në Shqipëri

Shkodër/ Radhë kilometrike në pikën kuftare të Muriqanit! Makinat në pritje nga Mali i Zi për të hyrë në Shqipëri