Zylyftar Bregu vjen nga shkolla e gazetarisë, si pedagog në Universitetin e Tiranës, Sami Nezaj vjen nga një eksperiencë e gjatë si gazetar, dhe po ashtu edhe Suela Musta. Brikena Kasmi që kërkon të jetë anëtare e Autoritetit, ka shërbyer në qeverinë Berisha si zëvendësministre e Punëve Brendshme, ndërsa Rudi Bobrati ka drejtuar Agjencinë e Mbështetjes së Shoqërisë Civile në qeverisjen e shkuar. Alketa Mukavelati vjen nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare, ndërsa kandidati tjetër Aristir Lumnezi është gazetar. Sonila Daiu vjen nga bota akademike, ndërsa Flutura Eski ka qenë funksionare e Partisë Demokratike në Berat.
Migena Leskoviku mban titullin Profesor Doktor, në një prej universiteteve private në Tiranë, kurse Artur Kopani është gazetar dhe ish-drejtues i RTSH-së. Flori Balliu është gazetar dhe ish-drejtues tek Arkivi i Filmit, po ashtu edhe Mina Hysa është gazetar. Mirelinda Collaku është eksperte e të drejtave të autorit, ndërsa Albano Zhapaj vjen nga Fakultetit i Shkencave Sociale. Ndriçim Mehmeti ka qenë funksionar i MASH në qeverinë Berisha, dhe ekspert i çështjeve arsimore, ndërsa Agron Gjekmarkaj është opinionit dhe me funksione pranë Presidentit të Republikës. Gëzim Cekrezi ka qenë funksionar pranë Ministrisë së Brendshme. Garës i shtohet dhe Elda Gremci dhe Igli Ceka me eksperiencë në rrjetet kompjuterike. Bledar Mankollari vjen nga Akademia Ushtarake, ndërsa kandidati i fundit është Bledi Stafa. Nga këto 22 kandidatura të depozituara, 1 prej tyre rezulton të jenë vetë kandiduar, përkatësisht Bledi Stafa
Në përputhje me nenin 9 të ligjit “Për mediat audiovizive në RSH”, dhe në vijim edhe të njoftimit publik të publikuar në uebsitin e Kuvendit, kandidaturat për anëtarë të AMA-s, duhet të propozohen nga subjekte si shoqata, apo organizata profesionistësh. Në këto kushte, kjo kandidaturë nuk mund të quhet e vlefshme pasi nuk konsiderohet si e tillë në bazë të detyrimit ligjor që ka si kusht propozimin nga subjektet përkatëse. 21 kandidaturat e tjera janë të vlefshme për të vijuar shqyrtimin e tyre, pasi janë të propozuara nga subjektet që kërkon ligji dhe në përputhje me natyrën dhe fushën e subjekteve që kërkon ligji, siç janë: shoqatat dhe grupimet e mediave elektronike; shoqatat e medies së shkruar; profesoratin dhe shoqatat e inxhinierisë elektrike dhe elektronike; profesoratin e së drejtës, gazetari-komunikimit dhe ekonomisë, shoqatat e juristëve dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë; organizatat jofitimprurëse që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve ose kërkimeve në politikat publike, ose përfaqësues të shoqatave që veprojnë në fushën e mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuar.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)