TIRANE- Kuvendi nis sot punimet e sesionit të ri parlamentar. Seanca ka nisur rreth orës 17:20 dhe ka zgjasur vetëm 7 minuta. Seanca e parë është drejtuar nga nënkryetari Vangjel Dule i cili ka bërë publike prioritet e Kuvendit në këtë sesion të ri, që ka të bëjë edhe me diskutimin e statusit të Shqipërisë në BE, në muajin Qershor.

Dule bëri publike edhe faktin se, është depozituar kërkesa për ngritjen e një komisioni të përbashkët për reformën territoriale. Me kaq është mbyllur dhe seanca e parë e sesionit të ri.

Kuvendi ka miratuar edhe kërkesën e grupit parlamentar të LSI-së për iterpelancën me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, që do të zhvillohet seancën e ardhshme. Interpelanca ka si temë devijimin e lumit Radika nga qeveria maqedonase e cila kërkon ngritjen e një hidrocentrali në fushën e Lukovës.

Duke folur në seancën plenare, nënkryetari Dule tha: “Më lejoni së pari që t’ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe të shpreh urimin dhe besimin se ky sesion parlamentar do të thellojë frymën me të cilën nisëm këtë legjislaturë parlamentare: atë të konstruktivitetit dhe të bashkëpunimit”.
 
“Nëpërmjet këtij konsensusi dhe sinergjisë së veprimeve të garantojë ato zhvillime politike në vend që do të na garantojnë të gjithëve, shoqërisë, qytetarëve, vendit atë që nuk arritëm dhjetorin e shkuar, marrjen e statusit të vendit kandidat në qershorin e vitit në vazhdim”, përfundoi fjalën e tij, të shkurtër Vangjel Dule.

Me sesionin e ri pritet të rinisin debatet mes mazhorancës dhe opozitës. Seanca përkon me 3 vjetorin e ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011, ku gjatë protestave para kryeministrisë, kundër qeverisë Berisha mbetën të vrarë  4 protestues.

Ky përvjetor pritet të ngjallë sërish debat mes mazhorancës dhe opozitës. Kryetari i parlamentit Ilir Meta ka shpallur si prioritete të këtij sesioni parlamentar reformën territorial dhe atë në drejtësi.

Konferenca e kryetarëve pritet të mblidhet të mërkurën për të miratuar ngritjen e komisionit “ad hoc” për reformën territorial. Ndërkohë që nga PD deri tani janë dhënë sinjale se nuk do të japin consensus për miratimin e saj.

Gjatë këtij sesioni qeveria do të depozitojë në Kuvend draftin për reformën territorialo-administrative, si dhe aktet e nevojshme nënligjore të ligjit të ri ‘për nëpunësin civil’, nga të cilat deri më tani janë hartuar 10, nga 33 që janë në total.

AMBASADORI GREK ROKANAS NE KOMISIONIN E INTEGRIMIT
Ndërkohë ambasadori i Greqisë në Shqipëri Leonidas Rokanas do të jetë në komisionin e Integrimit për të prezantuar prioritetet e Presidencës së rradhës së Bashkimit Europian, e cila mbahet për këtë gjashtëmujor të parë të vitit.

Rokanas do të shoqërohet edhe me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqiperi, Z. Ettore Sequi.

Ndërkohë Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin  në rend të ditës është hartimi i planit dy javor të punës së komisionit dhe shqyrtimi i projektligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në  Republikën e Shqipërisë".

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)