Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë sot në seancë plenare pr/vendimet për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani dhe shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm, Elivar Golemi. Një javë më parë, komisioni i Ekonomisë miratoi propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, që shkarkoi nga detyra Guvernatorin Fullani dhe kryeinspektoren Golemi, pas arrestimit të tyre nën akuzën "Për shpërdorim detyre", lidhur me skandalin e vjedhjes së 7.13 milion dollarëve nga Banka Qendrore.

Baza ligjore e shkarkimit të dy zyrtarëve ishte "Për shkelje të etikës në punë dhe cënim të thellë të interesave të Bankës së Shqipërisë". Miratimi i këtyre pr/vendimeve nga Kuvendi i hap rrugën vijimit të procedurave për emërimin e drejtuesve të rinj të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, i cili ka mbetur me katër anëtarë, nga 7 që duhet të ketë. Seanca e sotme e Kuvendit, që sërish pritet të bojkotohet nga opozita, parashikon shqyrtimin e disa pr/ligjeve si ai "Për të drejtën e informimit", disa ndryshime në ligjin "Për mbrojtjen e të dhënave personale", pr/ligjin "Për azilin në Republikën e Shqipërisë", etj. /ATSH/