Këndi i ekspertit/ Natasha Çela: Riniti alergjik, faktorët nxitës dhe si trajtohet

Këndi i ekspertit/ Natasha Çela: Riniti alergjik, faktorët nxitës dhe si trajtohet

Moderatorja Valbona Mëhilli dhe mjekja Natasha Cela

Emisionit tashmë të mirënjohur të Report Tv “Këndi i Ekspertit” i është shtuar edhe një rubrikë tjetër ajo e ekspertit mjekësor, që do të trajtojë problemtikat e ndryshme shëndetësore që kanë qytetarët. Në puntatën e të premtes që ishte edhe e para e rubrikës “Mjeku im” ka qenë e ftuar Natasha Çela, mjeke alergologe në Spitalin Kontinental. Mjekja ka folur për një nga sëmundjet alergjike më të përhapura, si riniti alergjik. Doktoresha Natasha Çela ka sqaruar faktorët nxitës të kësaj sëmundje, mënyrën e dallimit të saj nga virozat e zakonshme si dhe për mënyrën e trajtimit.

Çfarë është riniti alergjik?

Riniti alergjik është një nga patologjitë e sëmundjeve alergjike në përgjithësi. Vlen të përmend që dua të flas për rinitin alergjik sepse është një nga sëmundjet e rrugëve të sipërme respiratore, e cila është jashtë mase e përhapur në mbarë globin. Personat që vuajnë nga riniti alergjik janë rreth 40% e popullsisë dhe në 10 vitet e fundit kjo sëmundje ka marrë një shtrirje dghe një shtim jashtë mase të madh. Duke menduar se çfarë shkakton riniti alergjik, duke ndikuar në cilësinë e jetës, në aktivitetin e përditshëm në punë, në aktivitetin në shkollë, duke e bërë personin që të ndihet pothuajse gjatë gjithë ditës i përgjumur, absolutisht që vlen të shprehemi, të japim informacion se ku duhet të bazohen personat, pacientët, për të marrë informacion dhe për të ditur që shenjat që kanë mund të jenë një rinit alergjik dhe ia vlen që të bëjnë një konsultë me alergologun, të marrin situatën në dorë, të diagnostikohen, të trajtohen dhe pastaj, absolutisht të ndihen mirë me të gjithë parametrat që përmenda më sipër, ndikimet negative që ka riniti alergjik.

Cilët janë faktorët nxitës?

Para se të flasim për faktorët nxitës, duhet të flasim se çfarë është riniti alergjik. Është një sëmundje me simptoma nazale, e shkaktuar nga një inflamacion i gevartës, si pasojë e ekspozimit të alergenit me personin. Jo të gjithë personat mund të jenë alergjikë ose të reagojnë ndaj alergenëve inhalatorë ose të ajrit. Janë persona të veçantë, që sistemi imunitar i tyre reagon ndaj këtyre substancave që ndodhen në ajër, që ne i quajmë alergenë, dhe shfaqin simptomat kryesore të problemeve alergjike dhe në rastin konkret, të riniteve alergjike, të cilat janë: rrjedhje e ujshme e hundëve, teshtima të njëpasnjëshme, bllokim dhe kruajtje të hundëve. Mund të ndodhë që të kemi edhe skuqje dhe kruajtje të syve. Kemi  kështu inflamacionin e mukozës nazale, që është shumë e skuqur dhe është edematoze. Kemi rrjedhjet postnazale, që i themi ndryshe rrjedhjet e brendshme të sekrecioneve sepse vetë fenomeni i rinitit alergjik ka shtim të tepruar të sekrecioneve dhe e bën reaksioni alergjik këtë prodhim të tepërt të sekrecioneve, prandaj ka edhe rrjedhje të ujshme të hundëve.

Pra, në rast se ne kemi rrjedhje të vazhdueshme?

Në rast se kemi rrjedhje të vazhdueshme, në rast se kemi herë pas here bllokim të hundëve, që shoqërohet me kruajtje të hundëve, në rast se kemi teshtima të njëpasnjëshme, absolutisht që duhet të drejtohemi te një mjek alergolog për të konstatuar nëse jemi alergjikë apo ajo.

Cilët janë alergenët e ajrit? Janë kryesisht pluhurat e shtëpisë, janë polenet, janë epitelet e qimeve të kafshëve, është myku. Mund të fusim gjithashtu edhe ndotësit atmosferikë.

Dëgjojmë shpesh persona të cilët thonë se kanë alergji kafshët ose që kanë shumë alergji në sezonin e pranverës, kur çelin lulet.

Rinitet alergjike i ndajmë, në varësi të llojit të alergenit, në sezonale dhe në gjithëvjetore. Kryesisht riniti sezonal është më i ndjeshëm në popullatë, konsiston në periudhën e pranverës dhe të vjeshtës dhe alergjitë stinore, kështu i quajmë ne këto lloje rinitesh. Janë kryesisht nga polenet dhe polenet, pikun e polenizimit të tyre e kanë në periudhën e pranverës dhe të vjeshtës, prandaj dhe personat shfaqin simptoma nazale ose shenja klinike të hundëve. Vlen të theksohet që, në përgjithësi, rinitet alergjike sezonale janë më të ndjeshme nga popullata sepse u ndodh papritur. Një ditë të bukur, ngrihen në mëngjes dhe e shohin veten që mund të kenë skuqje të syve, mund të kenë kruajtje të syve, lotim, rrjedhje të ujshme të hundëve, teshtima, të cilat nuk i lënë që të bëjnë gjërat e zakonshme të ditës dhe të jenë aktivë në jetën e përditshme. Nëse një person vëren këto lloje simptomash, atëherë gjëja e parë që duhet të bëjë është që duhet të drejtohet te një mjek alergolog për t’i diagnostikuar këto simptoma nëse janë shenja të një riniti alergjik. Vetëm mjeku alergolog është ai që gjykon dhe vendos, në bazë të ekzaminimit objektiv, të shenjave klinike, të ekzaminimeve që bëhen për të testuar dhe për të diagnostikuar rinitin alergjik.

Njerëzit shpeshherë e ngatërrojnë rinitin alergjik me gripin apo me virozat. Ku dallojnë këto nga njëra-tjetra?

Zakonisht, simptomat e rinitit alergjik nuk kanë kohë. Mund të ndodhin gjatë gjithë vitit dhe këtu futen rinitet gjithëvjetore, mund të ndodhin dhe në sezone, pra në sezonin e pranverës dhe të vjeshtës. Rinitet nuk kanë temperaturë siç kanë virozat, nuk kanë dhimbje trupi siç kanë virozat, nuk kanë temperaturën konsistente që ka një grip, por kanë zakonisht shenjat alergjike që përmenda pak më lart, siç janë teshtimat, bllokimi i hundëve, rrjedhja e ujshme e hundëve, mund të kenë kruajtje të qiellzës, kruajtje të veshëve. Këto janë shenjat kryesore të një rrufe alergjike ose të një riniti alergjik.

Riniti alergjik është një patologji e shërueshme, apo pacienti duhet të ketë një trajtim të vazhdueshëm?

Riniti alergjik, ashtu si të gjitha sëmundjet alergjike, futet në sëmundjet kronike. Sëmundjet kronike nuk quhen të shërueshme, por trajtohen, menaxhohen dhe mbahen nën kontroll.

Pse është e rëndësishme që të trajtohet një rinit alergjik? Përveçse rrit cilësinë e jetës, rrit cilësinë e aktivitetit në punë, absolutisht riniti alergjik njihet edhe si faktor risku për shkaktimin e astmës bronkiale. Në momentin që personi evidenton veten që ka një diagnozë me rinit alergjik, shkon te mjeku, diagnostikohet dhe trajtohet. Përveç cilësive që përmenda më lart, absolutisht ka përfituar dhe ka kontrolluar edhe fillimin e një astme alergjike, e cila është me të vërtetë shumë problematike në një masë të gjerë. Nga depistimet e ndryshme që janë bërë, rreth 40% e pacientëve me rinit alergjik janë edhe me astmë bronkiale. D.m.th. ato shkojnë si bashkëshoqëruese. Dhe pacientët që vuajnë nga astma bronkiale, rreth 80% e tyre, kanë rinit alergjik. D.m.th. këto shkojnë paralel. Rinitet janë inflamacione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe astma është inflamacion i rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. Është e padiskutueshme që një rinit alergjik do të shkojë drejt astmës, nëse ai nuk trajtohet dhe nuk ndiqet nga mjeku alergolog.

Flas nga Tirana. Po aroma e peshkut a mund të shkaktojë alergji? Kur ndjej aromën e peshkut mua më bllokohet frymëmarrja.

Kjo është ndjesia që ka zonja ndaj aromës së peshkut dhe ka probleme me frymëmarrjen. Atëherë, unë po cilësoj se, përveç shkaktarëve që janë alergenët, polenët, një grup i madh janë edhe ndotësit e ajrit. Në ndotësit e ajrit futen edhe detergjentët, pra aromat e detergjentëve, futen aromat jo të këndshme në familje, futet tymi i duhanit. Absolutisht që futen edhe aromat e forta të djegies së vajit kur gartuhet, futen avujt e gatimeve me aromat e tyre. Të gjitha këto absolutisht që shkaktojnë probleme. A është apo jo zonja alergjike, për këtë vlen konsulta me alergologun sepse nuk janë vetëm dy simptoma që vërtetojnë këtë. Këto janë dy simptoma që kanë një domethënie, por nuk mund të jenë vetëm këto të dyja sepse absolutisht, personi duhet t’i nënshtrohet ekzaminimeve dhe testeve alergjike për të përcaktuar nëse këto simptoma janë të një problemi alergjik apo jo.

Jam 59 vjeçe dhe vuaj nga astma. Kam përdorur një pompë dhe një ilaç tjetër. Pompën ma hoqi mjeku për shkak të zemrës sepse më ka goditur në zemër. Kam shumë sekrecione në grykë dhe çdo mëngjes duhet t’i shkëpus nga gryka sepse më bllokojnë.

Një pacient që vuan nga astma alergjike, si në rastin konkret të zonjës, nuk di se cila pompë i është ndërprerë sepse zakonisht në trajtimet e astmave ne përdorim dy lloje pompash: bronkodilatator që ndihmon në lirimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe kortizonikët. Ka mjekime të tjera që ne i japim për të zëvendësuar atë mjekim që i hiqet pacientit nga një specialist tjetër, për shkak të një kundërndikimi që mund të bëjë medikamenti. Në lidhje me sekrecionet e shumta që zonja tha se kishte në mëngjes, unë jo më kot e thashë, që është rrjedhja postnazale. Zakonisht, në këtë rast, pacienti duhet të trajtohet nga alergologu jo vetëm për astmën bronkiale, por edhe për rrugën, edhe për simptomat nazale sepse janë të lidhura me njëra-tjetrën, janë një sistem, pavarësisht se i ndajmë në sistemin e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe në sistemin e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. Këto sekrecione, të cilat i prodhon vetë reaksioni alergjik, bëjnë që gjatë natës të rrjedhin nga brenda dhe të grumbullohen. Kështu zonjës i japin bllokim kur ngrihet në mëngjes. Në këtë rast duhet të trajtohen edhe sinuset, përveç se bronket dhe mushkëritë. Por kjo zgjidhet vetëm me mjekun alergolog, duke u konsultuar për mjekimin që ka ndërprerë, për një mjekim tjetër se çfarë mund të marrë, si edhe për të trajtuar edhe sinuset sepse është e riskuar që të bëjë rinosinuzite, do të bëjë inflamacione të vazhdueshme dhe ato, herë pas here, duhen trajtuar përveç mjekimit alergjik ndoshta edhe me antibiotikë. Kaq mund të them. Nuk mundem unë që të jap më tepër mendime apo këshilla.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • abedin: 25/07/2019 16:53

    E nderuar Mjeke . Une çdo mbasdidte kam kruajtje ne pjesen e djathte te kraharorit ku fillojne brinjet. Kjo eshte e perditeshme. Vazhdon me minuta te tera. A eshte kjo nje alergji dhe nga se shkaktohet ? Ju lutem me jepni nje mendim. Faleminderit. Abedin Mullai Cel. 0683996380

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen