Pronari i një lokali në Sarandë është shpallur në kërkim nga policia pasi ka kërcënuar me thikë klientët e tij pas një sherri. Policia ka shpallur në kërkim 48-vjeçarin Alban Çobaj.  

"Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqej nje shtetas i cili kishte kanosur me mjet prerës, disa klientë, në një lokal, në qytetin e Sarandës, ju informojmë se: Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, për ngjarjen e ndodhur, janë kryer të  gjitha veprimet hetimore dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Ç., 48 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas, dyshohet se në ambientet e subjektit të tij, në lagjen nr.1, Sarandë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me mjet prerës (thikë), disa klientë. Vijon puna për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton policia. 

Konflikti mësohet se ka ndodhur rreth orës 18:00 të së shtunës pas një debati me disa klientë lidhur me faturën, për të cilën klientët nuk ishin dakord dhe refuzonin ta paguanin.