Chris Matthews, pjesë e ekipit investigativ të Sky News që hetoi për gati një vit grupet kriminale shqiptare në Britani, ka rrëfyer prapaskenat e operacionit të fshehtë dhe mënyrën se si gazetarët arritën të depërtonin në rrjetet e shpërndarjes së kokainës.

Matthews tregon se ideja për t'u infiltruar nisi nga njoftimet që i shfaqeshin në TikTok. Si gazetar i specializuar në krimin e organizuar, ai kishte hasur shpesh reklama në gjuhën shqipe që ofronin punë si shofer, me pagesa të mira, karburant dhe strehim të përfshirë.

Askund nuk thuhej se çfarë duhej të transportonin shoferët. Disa prej njoftimeve shoqëroheshin me simbolin e flokut të dëborës, që përdoret si referencë për kokainën. Gazetari kishte mësuar disa shprehje në shqip nga rrjetet sociale dhe kontaktet e tij shqiptare, aq sa për t'u shkruar personave që publikonin njoftimet. Por problemi nisi kur ata kërkuan të flisnin në telefon. Matthews kishte vënë re se trafikantët tregoheshin dyshues ndaj personave që nuk ishin shqiptarë.

Për këtë arsye, ai gjeti një bashkëpunëtor shqipfolës, identiteti i të cilit vazhdon të mbahet i fshehtë. Së bashku me gazetarin që do të zhvillonte takimet, krijuan një histori të besueshme: ai kishte shitur më parë drogë për shqiptarët, ishte larguar nga ky aktivitet, por tani kishte nevojë për para dhe kërkonte të rikthehej.

Gazetarët përdorën identitete të rreme dhe një telefon të posaçëm për të mos zbuluar të dhënat e tyre personale. Përpara takimeve, ekipi kaloi kohë duke vlerësuar rreziqet, përfshirë mundësinë që trafikantët t'i identifikonin apo t'i gjurmonin edhe pas përfundimit të investigimit.

Takimi i parë u zhvillua në një kafene të mbushur me klientë në Exeter, rreth orës 10:30 të mëngjesit. Ndërsa njerëzit përreth pinin kafenë, një trafikant i quajtur “Leo” po zhvillonte një intervistë pune për shpërndarjen e kokainës, pa e ditur se personi përballë tij ishte gazetar dhe po e filmonte fshehurazi.

Brenda pak minutash, “Leo” i ofroi strehim, një listë çmimesh dhe punë. Madje, donte që ai të fillonte menjëherë.

“Fillo punë tani. Për shembull, në orën 12:00 mund të fillosh, apo jo?”, i tha ai.

Por pikërisht gjatë kësaj bisede ndodhi momenti që mund ta kishte zbuluar gjithë operacionin. Trafikanti i kërkoi gazetarit patentën. Nëse do t'ia tregonte, ai do të mësonte emrin dhe adresën e tij të vërtetë.

Gazetari reagoi menjëherë, duke pretenduar se e kishte harruar portofolin në makinë. Për ta bërë historinë më të besueshme, shpjegoi se pikërisht për këtë arsye i kishte paguar kafetë me telefon. Më pas premtoi se do t'ia dërgonte fotografinë e patentës.

“Leo” e pranoi shpjegimin dhe vazhdoi bisedën. Matthews tregon se ajo që e habiti ishte mënyra se si trafikanti fliste për çmimet e kokainës dhe uljet për klientët që blinin disa doza, sikur po punësonte dikë në një supermarket.

Kur gazetari i infiltruar e pyeti nëse policia përbënte problem, përgjigjja ishte e shkurtër: “Nuk është problem”. Por takimi në Exeter nuk ishte i vetmi.

Në Wigan, gazetarët organizuan një tjetër takim, këtë herë në një makinë të parkuar pranë një këndi lojërash për fëmijë. Gazetari i infiltruar kishte frikë se mund të ishte një kurth. Nëse hynte në makinë, drejtuesi mund të largohej me të brenda. Megjithatë, vendosi të hynte.

Burri që ndodhej në timon po pinte cigare dhe kishte tatuazhe të dukshme në krahë. Ai i ofroi gazetarit 280 paund në ditë, në para në dorë, për të shpërndarë kokainë. Brenda pak minutash, gazetari kishte marrë një tjetër ofertë pune.

Një tjetër moment që Matthews veçon në rrëfimin e tij lidhet me një porosi droge që bëri kolegu i tij, John Sparks, në Royal Tunbridge Wells. Sparks porositi kokainë dhe brenda pak minutash mori një mesazh që i premtonte dorëzimin për gjysmë ore.

“Në disa pjesë të Britanisë, duket se kokaina mund të mbërrijë më shpejt se një picë”, shkruan Matthews. Pamjet e regjistruara fshehurazi në Exeter habitën edhe David McKelvey, një ish-oficer policie që kishte ndihmuar në zhvillimin e operacioneve të infiltrimit kundër bandave shqiptare.

“Vetëm nga videoja, nëse do të ishe polic, do ta arrestoje. Do të shkoje menjëherë te adresa që ai sapo tregoi, do ta kontrolloje dhe ndoshta do të gjeje drogë”, u shpreh McKelvey.

Sipas ish-oficerit, trafikanti mund të përballej me pesë deri në tetë vite burg, megjithatë fliste hapur për aktivitetin e tij në një kafene publike. Për Matthews, pikërisht kjo ishte një nga gjërat më të habitshme të hetimit: lehtësia me të cilën personat e përfshirë në shpërndarjen e kokainës diskutonin për aktivitetin e tyre me njerëz që sapo i kishin takuar.


Lajmi kryesor:

Sky News zbërthen rrjetet shqiptare të kokainës në Britani! Nga rekrutimi në TikTok te telefonat që shiten 300 mijë paund, Vladimir Mara i SPAK: Paratë investohen edhe në Shqipëri