Takimi Meta-Basha, ashtu si takimi Rama-Basha, pavarësisht trëndafilave dhe deklaratave optimiste, nuk prodhoi asgjë për fatin e Reformës në Drejtësi. Megjithatë, java politike nisi me takime dhe negociata intensive, në përpjekje për të gjetur rrugën e konsensusit, për pikën e vetme që i ndan palët, që është zgjedhja e anëtarëve të institucioneve të larta të drejtësisë.

Pas lëshimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pranoi formulën e kërkuar nga PD me 2/3, Partia Socialiste ka bërë një tjetër lëshim, duke e zhveshur Parinë Demokratike nga alibia, sipas të cilës shumica në pushtet, synon të kapë drejtësinë e re. Shqiptarja.com ka mësuar se përfaqësuesit e mazhorancës i ka dhënë një garanci shtesë opozitës sa i takon zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke i ofruar disa variante.