KOSOVE - Protesta e Vetëvendosjes ishte organizuar më së miri nga kjo forcë politike, që kundërshton çdo hap normalizimi me Serbinë dhe shprehet hapur për bashkimin shtetëror të Kosovës me Shqipërinë. Protestuesit, që kërkonin të mos ratifikohej marrëveshje e Brukselit, mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Marrëveshja nuk kalon”, “Me hajna nuk ka shtet”, “Hashim të duam në burg”.

Sekretari organizativ i VV, Dardan Mulliqaj ka thënë për Kosovapress se të gjithë aktivistët do ta kundërshtojnë në mënyra të ndryshme ratifikimin e marrëveshjes, duke lënë të kuptohet se edhe brenda Kuvendit do të ketë veprime për parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes.

Ai tha se marrëveshja është nënshtruese ndaj Serbisë. Lëvizja Vetëvendosje u kishte bërë thirrje të gjithë qytetarëve që dje në orën 09:00 të dilnin në protestën kundër ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës, që do të mbahej në Prishtinë.

Ata përmes njoftimeve të tyre bënë të ditur se kishin organizuar transportin për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e demonstratës. Lëvizja Vetëvendosje mendon se pjesëmarrja në këtë demonstratë mbron Kosovën nga “bosnjëzimi” dhe është vendimtare për të shprehur kundërshtimin ndaj Ratifikimit të Marrëveshjes Thaçi–Daçiç.

Madje sipas drejtuesve të saj demonstrata është një mundësi për ta kapërcyer këtë padrejtësi, siç e quajnë ata, që po imponohet nga kjo marrëveshje. Demonstrata, thanë krerë të VV, dëshmon se cilido deputet që e voton ratifikimin është duke e bërë këtë në kundërshtim me vullnetin tonë dhe do të përballet me kundërshtimin tonë.

Ata thanë se kjo marrëveshje kapitullon plotësisht sovranitetin e Kosovës, pamundëson rigjallërimin e jetës dhe punës në veri të vendit, si dhe pengon në vazhdimësi kontrollin mbi burimet më të rëndësishme ekonomike.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)