Laçi-Skënderbeu
Në prag të sfidës tejet të rëndësishme me Kukësin në kampionat, trajneri Josa mbajti pushim shumë titullarë, mes tyre edhe Latifin, një avantazh që Laçi e shfrytëzoi prej minutave të para. Në fushë u aktivizuan emra që kanë pasur pak hapësira si Lulaj, Dema, Nafiun apo edhe paraguajianin Orue, në debutimin me korçarët. Laçi kërkoi të shfrytëzonte faktorin fushë, ndërsa Skënderbeu provoi t’i përgjigjej me goditje standarde.
Pas 20 minutave të para të balancuara Laçi është hedhur me forca të shumta në sulm. Porta e Shehit u kthye në tabelë qitje me radhë nga Veliaj, Sefgjini dhe Çela, që në harkun e pak sekondave rrezikuan tre herë. Flagrant rasti i shpërdoruar nga Çela, që krijoi iluzionin e golit te laçianët. Bardhezinjtë arritën ta gjenin rrjetën me Gocaj, por goli ishte i pavlefshëm pasi gjyqtari Pashaji fërshëlleu për pozicion jashtë loje, ndërsa pak çaste më pas Mitraj kishte një tjetër mundësi të shkëlqyer, por edhe pse bëri gjithçka mirë, goditja e tij përfundoi në rrjetën e jashtme. Gjithsesi pjesa e parë mbaroi pa gola.
Laçi kaloi në avantazh në minutën e 48-të, gol që shërben si një hap i vogël drejt finales. Goditja e Cetkovic u devijua nga Arapi, që nxorri jashtë loje portierin Shehi. Goli nuk mjaftoi, me kurbinasit që vazhduan sulmet, por në minutën e ’70 situata ndryshoi. Sulmuesi i bardhezinjve Dardan Vuthi, i aktivizuar në të 68-ën, vetëm 2 minuta më pas, sulmuesi shqiptar i lindur në Greqi u largua nga fusha me karton të kuq, pas ndërhyrjes së ashpër ndaj Esquerdinha-s. Inferioriteti numeric e uli vrullin e vendasve, ndërsa nga ana tjetër kampionët nuk është se u “lodhën” shumë për të rrezikuar portën kundërshtare. Kështu ndeshja mbaroi 1-0 me laçin paksa të avantazhuar për kualifikim.
Flamurtari - Kukësi
7 ndeshje pa humbje me 6 fitore dhe një barazim. Kukësi nuk di të ndalet duke u bërë kryefjalë e futbollit shqiptar. Skuadra e Klodian Duros triumfoi në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë kundër Flamurtarit në Vlorë. 2-0 brenda 20 minutave të para dhe dhe nënkampionët shtrëngojnë një sukses të rëndësishëm për të arritur finalen e madhe ku duket se janë me një këmbë.
Një ndeshje që Kukësi e zgjidhi menjaherë dhe e menaxhoi në çdo detaj, duke i dhënë një leksion të vërtetë Flamurtarit që vazhdon të zhytet edhe më shumë në krizë rezultatesh. Kukësi u shfaq më i qartë dhe i vendosur në lojë duke marrë kontrollin e sfidës që në sekondat e para dhe si pasojë e dominimit në fushën e blertë, skuadra e drejtuar nga Klodian Duro u shpërblye me një gol të shënuar që në minutën e 11 pas një krosimi nga e majta e Hasanit.
Topi nuk u devijua nga askush në zonën e rreptësisë me Likën që u detyrua ta nxirrte nga rrjeta. Në minutën e 20-të Kukësi vrau shpresat e vendasve me një gol të shënuar nga Shameti që kërceu saktësisht në zonë, duke dyfishuar rezultatin. Edhe në vazhdim Kukësi ka vazhduar të jetë më i rrezikshëm, ndërsa vlonjatët kanë reaguar pa shumë fuqi. Në këtë mënyrë Kukësi ruajti këtë fitore me shumë vlera që gati i siguron finale e Kupës.
Boks - Vlorë
Vdes një tifoz pas ndeshjes, rrëzohet nga shkallët
Një tifoz ka humbur jetën gjatë ndeshjes Flamurtari- Kukësi. 30-vjeçari Mikel Selmanaj, sipas informacioneve nga policia e qytetit bregdetar është rrëzuar dhe ka përplasur kokën në shkallët e stadiumit. Gjithçka ka ndodhur në momentin që ai po dilte nga stadiumi. 30-vjeçarit i ka shkarë këmba në momentin që tifozët po dilnin jashtë stadiumit, pas mbarimit të ndeshjes dhe është rrokullisur në shkallët duke u vrarë në kokë. Rrokullisja ka rezultuar fatale për të.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)