ROME-Gazeta e njohur italiane "La Repubblica", ka botuar në numrin e datës 27 shkurt një investigim të gjerë mbi abuzimet, vjedhjet, evazionin dhe humbjen e miliona eurove në projekte që nuk u realizuan kurrë. Autorët e kësaj dosjeje janë mbështetur në të dhënat e Gjykatës së Llogarive të Italisë dhe në një pjesë të kësaj dosjeje përmendet edhe spitali që do të ndërtonte Fondacioni "Zoja e Këshillit të Mirë", si një amanet i Nënë Terezës, por që për fat të keq nuk u ndërtua kurrë. Në këtë dosje thuhet se Farnezina italiane ka akorduar 20 milion euro. 10 milionë janë lëvruar dhe ato janë tretur. Pra, janë marrë nga Fondacioni për të ndërtuar spitalin, por ai spital nuk u ndërtua kurrë. "Një tjetër shpërdorim me përmasa kolosale, përmendur nga Gjykata e Llogarive të Lacios është ajo e 20 milionë eurove të ndara prej Ministrisë së Jashtme për ndërtimin e spitalit "Zoja e Këshillit të Mirë" në Tiranë, Shqipëri. Spitali nuk përfundoi kurrë: prej 20 milionëve të dhëna nga Farnezina, 10 u zhdukën para se projekti të revokohej si i pamundur që të përfundonte.
(sg/shqiptarja.com)