Universiteti më i madh i Romës, La Sapienza, në të cilin Ilaria Sula studionte për shkenca statistikore, ka zgjedhur të nderojë studenten shqiptare, e cila u vra me thikë nga ish i dashuri i saj me origjinë filipinase.

Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e universitetit, u vendos që një prej sallave të La Sapienzës të mbante emrin e 23-vjeçares shqiptare.

“Hapësirat e reja të studimit brenda Godinës së Teatrit të Ri Universitar i janë kushtuar Ilaria Sulës. Me rastin e 722-vjetorit të themelimit të Studium Urbis, sot janë inauguruar tre hapësira të reja me gjithsej 260 vende të reja studimi për komunitetin studentor: Biblioteka e re e bashkuar e Jurisprudencës, Salla Montessori në Godinën e Mineralogjisë dhe Hapësirat e studimit Ilaria Sula, në të cilat një pllakë përkujtimore kujton: ‘Ilaria, studente e Sapienza-s, për të mos harruar të gjitha gratë viktima të feminicidit, të cilave u është ndërprerë mundësia për të shkruar të ardhmen e tyre’”, shkruhej në postimin e universitetit.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe prindërit e vëllai i Ilarias, ku ndër të tjera babai i saj Flamur Sula tha: ‘Sot Ilaria rilindi’.

Trupi i Ilarias u gjet më 2 prill, ndërsa rezultonte e zhdukur që prej 25-marsit. Mark Antony Samson, pasi e goditi tre herë me thikë në banesën e tij, trupin e 23-vjeçares e futi në një valixhe dhe e hodhi në një zonë pyjore jashtë Romës.