MILANO -  Nuk është e lehtë të gjesh bileta për një spektakël operistik apo baleti në La Scala. Për Liqenin e Mjelmave, biletat ishin plotësisht të ezauruara për të gjitha shfaqet e korrikut. Mund të gjendej ndonjë mundësi në momentin e fundit në të ashtuquajturën Biletari e Mbrëmjes, por vetëm vende nga ku shihet me shumë vështirësi. Ja, ky është misteri tjetër i La Scalës: Njerëzit, blejnë bileta edhe për vende nga ku mund të shohin vetëm 1 të tretën e skenës, ose vetëm të dëgjojnë, pa mundur të shohin asgjë.

Me krizën e përgjithshme dhe vështirësitë e mbijetesës për shumë gjigandë të kulturës në botë, La Scala po mbijeton për mrekulli. Cila është formula? Carla Vigevani është përgjegjësja e zyrës së shtypit për baletin në La Scala. Eshtë e re, shumë e sjellshme dhe e gatshme të japë çdo informacion sipas rregullave shumë të forta të këtij institucioni.

Sipas saj vetëm shumë punë dhe pasion mund ta mbajnë gjallë e në majë të shumë teatrove të tjerë La Scala-n. Pas përfundimit të sezonit në fund të korrikut, pjesa më e madhe e balerinëve nisin turin e spektakleve në gjithë botën, Nga Argjentina, Brazilin ë Japoni. Dy balerinët tanë, Petra e Eris Nezha këtë herë do të bëjnë një pauze: me 14 gusht, në një lokal mes gjelbërimit të rrethinave të Tiranës, do të kurorëzojnë martesën e tyre mes miqve dhe familjarëve në Shqipëri.

KUSH JANE SPEKTATORET E LA SCALA
Një vend e bën të veçantë gjithësia e karakteristikave të tij. Në La Scala të Milanos sheh të abonuarit që janë afër të 90-ve, por dhe shumë të rinj. Spektatorë të përhershëm janë artëdashës nga Franca, Austria, Gjermania, por janë shtuar dhe ata nga vendet e Lindjes. Shumë rusë të cilët vijnë familjarisht. Lindja e Perëndimi këtu bëjnë dallim që nga mënyra e veshjes: e thjeshtë dhe elegante e dyta, pompoze, e para.  “Vitet e fundit po vijnë shumë kinezë”, më spjegon përgjegjësi i informacionit në hollin e Teatrit. Në të vërtetë jashtë një gazetare nga një TV Kinez bën “stand up” për një speciale nga La Scala.
Këtë teatër, në zemër të një qyteti të veçantë siç është Milano, e bëjnë unikalë dhe ritualet e krijuara në eksperiencën e viteve: Një aperitiv në orën 19.00 me kupën me “risotto alla milanese” e një gotë shpampanjë, duke bërë thashethemet mbi paradën e tipave të ndryshëm të spektatorëve e pastaj spektakli në orën 20.00. Pas tij, të apasionuarit mund të presin në dalje balerinët apo solistët për autografin pas shfaqjes. Për herë të parë, në këtë magji të majave të botës së artit, kontribuojnë dhe dy bashkëatdhetarët tanë.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)